Përkujtimet kombëtare kineze për paqen e ardhme

2017-12-13 17:37:37 CRI Komenti juaj Printoni

Sivjet është 80-vjetori i Masakrës së Nankinit. Më 13 dhjetor 1937, forcat agresore japoneze pushtuan qytetin e Nankinit, duke bërë një masakër që zgjati mbi 40 ditë. Sipas Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare për Lindjen e Largët dhe Gjykatës Ushtarake të Nankinit, 300 mijë civilë dhe të burgosur lufte kinezë u vranë nga ushtria japoneze gjatë kësaj masakre. Afro 20 mijë gra kineze u përdhunuan dhe një e treta e qytetit të Nankinit u dogj nga forcat japoneze. Dëmet materiale ishin të pallogaritshme.

Në këtë ditë, njerëzit në Kinë shpresojnë që bota të gëzojë gjithmonë dritën e paqes dhe që popujt të mbajnë mend mësimet e historisë, duke marrë përsipër së bashku përgjegjësinë për ruajtjen e paqes së njerëzimit.

Në prag të Ditës Kombëtare Përkujtimore të Viktimave të Masakrës së Nankinit, ish-drejtori i Muzeut Përkujtimor të Viktimave të Masakrës së Nankinit nga Trupat Pushtuese Japoneze, Zhu Chengshan, tregon:

"Masakra e Nankinit tregoi natyrën brutale, gjakatare dhe terroriste të agresorëve japonezë. Kjo është masakra më tipike, më e përqendruar dhe më përfaqësuese ndër një varg masakrash nga forcat japoneze në Kinë. Sipas vendimit të Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare për Lindjen e Largët pas luftës, krimet në Nankin kanë shënuar ndër mizoritë më të egra në historinë e luftës moderne. Në vendimin prej 1218 faqesh të Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare për Lindjen e Largët, ka dy kapituj të veçantë mbi Masakrën e Nankinit, njëri nga të cilët quhet 'Sulmi mbi Nankinin' dhe tjetri 'Masakra e Nankinit'. Në këtë vendim, konfirmohen elementet e Masakrës së Nankinit, që përfshijnë vrasjet, djegiet, përdhunimet dhe grabitjet."

Zhu Chengshan-i u shpreh se, megjithëse nga kjo periudhë e historisë kanë kaluar 80 vjet, ajo mbetet një kujtim i hidhur. Përcaktimi i Ditës Kombëtare Përkujtimore të Viktimave të Masakrës së Nankinit është respekt për jetën dhe të drejtat e njerëzve të zakonshëm, që krijon një atmosferë kundër luftës, për mbrojtjen e paqes e të jetës.

Qeveria japoneze duhet të mësojë nga historia e Luftës së Dytë Botërore. Por në 72 vjetët pas kapitullimit pa kushte të Japonisë, qeveria japoneze ka kërkuar pandërprerë arsye të ndryshme për të mohuar krimet e së kaluarës, duke mos kërkuar falje dhe duke mos reflektuar mbi Masakrën e Nankinit. Për këtë gjë, studiuesi i Institutit të Historisë Moderne të Kinës pranë Akademisë Kineze të Shkencave Shoqërore Bian Xiuyue është i mendimit se qëndrimet mohuese të qeverisë japoneze mbi problemet e mbetura nga historia e luftës, janë një atentat ndaj ndërgjegjes njerëzore, duke penguar integrimin e Japonisë në zhvillimet rajonale.

Shtrembërimi i historisë nga Tokioja zyrtare jo vetëm dëmton popujt që kanë vuajtur nga agresioni i Japonisë gjatë luftës, por edhe kanë krijuar një hendek të madh mes popullit japonez dhe popujve të Kinës, Koresë së Jugut dhe vendeve të tjera fqinje. Studiuesi i çështjeve japoneze në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Moderne të Kinës Huo Jiangang u shpreh se njohja e historisë është një ndihmë për paqen dhe stabilitetin e rajonit:

"Mendoj se qeveria japoneze nuk duhet ta shtrembërojë ose ta harrojë këtë histori, por ta përballojë atë në mënyrë të drejtë."

Në fakt, shtrembërimet e qeverisë japoneze lidhur me Masakrën e Nankinit nuk i kanë penguar japonezët e thjeshtë të kërkojnë të dinë të vërtetën dhe të gjejnë drejtësinë.

Sipas kryeredaktorit të gazetës japoneze "Chunichishinpou" në ditët përkujtimore të Kinës për Masakrën e Nankinit vitet e fundit janë organizuar edhe aktivitete të ndryshme përkujtimore nga banorët japonezë, për t'i treguar brezit të ri faktet e kësaj masakre.

(Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore