Tiranë: Ambasada e Kinës merr pjesë në veprimtarinë "Java e fëmijëve jetimë"

2017-12-13 10:00:05 CRI Komenti juaj Printoni

Këshilltari politik i ambasadës së Kinës në Shqipëri Bai Yunbin mori pjesë më 24 nëntor në veprimtarinë "Java e fëmijëve jetimë", të organizuar nën kujdesin e presidentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, në kuadrin e 105-vjetorit të Pavarësisë dhe të 100-vjetorit të ngritjes së shtëpisë së parë të jetimëve në Shqipëri. Në emër të ambasadës, z. Bai u dha fëmijëve jetimë dhurata të ndryshme.

I shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Alqi Bllako, këshilltari Bai Yunbin ndau disa dhurata për fëmijët jetimë të Bashkisë Kamëz. Ai vlerësoi lart nismën e Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta, për organizimin e kësaj veprimtarie të rëndësishme, si dhe punën njëqindvjeçare të institucioneve shqiptare në ndihmë të fëmijëve jetimë. Ai u uroi nxënësve të rriten të shëndetshëm dhe të mësojnë me zell. Z. Bai tha se ambasada e Kinës në Shqipëri dëshiron ta përkrahë aktivisht çështjen e bamirësisë në Shqipëri dhe të tregojë vëmendje për shtresat në nevojë, duke përcjellë miqësinë e popullit kinez.

Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit të Republikës Alqi Bllako e falënderoi ambasadën kineze për ndihmën e pakursyer dhe tha se ajo është e para ambasadë në Shqipëri që u përgjigj pozitivisht për veprimtarinë "Java e fëmijëve jetimë", gjë që mishëron miqësinë shqiptaro-kineze dhe shpirtin humanitar të zemërmirësisë pa kufi. Ai shprehu shpresën se nxënësit do ta justifikojnë kujdesin dhe përkrahjen e qarqeve të ndryshme shoqërore dhe do të bëhen shtylla e vendit, si dhe misionarë të miqësisë shqiptaro-kineze. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore