Trump-i njofton se Shtetet e Bashkuara njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit

2017-12-07 09:35:40 CRI Komenti juaj Printoni

 

Presidenti amerikan Donald Trump shpalli të mërkurën se ShBA-ja e njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe do të fillojë procesin e lëvizjes së ambasadës amerikane nga Tel-Avivi në Jerusalem. Bashkësia ndërkombëtare ka shprehur gjerësisht shqetësimin se ky veprim do të shtojë paqëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme.

Në një fjalim televiziv, Trump-i tha se marrja e këtij vendimi është "njohje e realitetit" dhe është në interes të Shteteve të Bashkuara. Ai u shpreh se ShBA-ja do të vazhdojë përpjekjet për të nxitur procesin e paqes midis Palestinës e Izraelit dhe do të përkrahë "zgjidhjen e dy shteteve" që është pranuar nga të dyja palët.

Të martën, numri një i Shtëpisë së Bardhë zhvilloi biseda të veçanta telefonike me liderët e Palestinës, Jordanisë, Arabisë Saudite, Egjiptit etj., për t'i njoftuar ata me vendimin e njohjes nga ShBA-ja të Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. Vende të ndryshme kanë bërë paralajmërime se ky veprim do të shkaktojë "pasoja të rrezikshme", do të shkatërrojë procesin e paqes midis Palestinës e Izraelit dhe do të rrisë paqëndrueshmërinë në rajonin e Lindjes së Mesme.

Që nga themelimi i Izraelit në vitin 1948, asnjë nga presidentët amerikanë nuk e ka njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Problemi i Jerusalemit është një nga pikat kryesore që pengojnë procesin e paqes ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve. Pas pushtimit të Jerusalemit Lindor nga Izraeli në vitin 1967, Izraeli deklaroi në mënyrë të njëanshme se i tërë Jerusalemi është kryeqyteti i tij "i përjetshëm dhe i pandashëm". Ndërkohë, pala palestineze ka kërkuar krijimin e shtetit të Palestinës me kryeqytet Jerusalemin Lindor. (Du)

Mrekulli
Lajmet Kryesore