Diplomati shqiptar: Kina, sukses të madh në mbrojtjen e të drejtave të njeriut

2017-12-07 19:34:10 CRI Komenti juaj Printoni

Të enjten nisi në Pekin Forumi për të Drejtat e Njeriut Jug-Jug. Pjesëmarrësit në këtë forum ndërkombëtar dyditor të organizuar nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës dhe Ministria e Jashtme e Kinës do të diskutojnë lidhur me mbrojtjen dhe zhvillimin e vazhdueshëm të çështjes së të drejtave të njeriut në shkallë ndërkombëtare.

Në këtë veprimtari merr pjesë edhe diplomati shqiptar Çlirim Çepani. Duke folur për CRI Shqip, z. Çepani vuri në dukje rëndësinë e këtij Forumi për shkëmbimin e përvojës lidhur me të drejtat e njeriut dhe për paqen në botë.

"Drejtuesit e shtetit kinez u japin rëndësi të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit me vendet e tjera, pasi kontaktet sjellin zhvillim", u shpreh diplomati Çepani.

Ai vuri në dukje sukseset e Kinës në uljen e varfërisë dhe në zhvillimin ekonomik, shoqëror, kulturor, teknologjik, duke u kthyer në një ndër shtetet më të fuqishme në botë. Këto suksese, tha z. Çepani, ndikojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës.

Sipas diplomatit shqiptar, sot bota, sidomos vendet në zhvillim, ndeshen me probleme që dëmtojnë të drejtat e njeriut, siç janë terrorizmi, trafikimi i grave dhe fëmijëve, droga etj. Këto, sipas tij, e bëjnë më komplekse dhe aktuale problematikën, prandaj duhet të luftohen duke bashkuar të gjithë forcat e shoqërisë.

"Në këtë aspekt është për t'u vlerësuar iniciativa e qeverisë kineze dhe e udhëheqësve të saj për të krijuar një front të përbashkët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për të rritur mirëqenien dhe standardet e të drejtave të njeriut jo vetëm në Kinë, por në të gjithë botën", tha më tej z. Çepani.

Ndërsa për sa i përket Shqipërisë, ai mendon se janë arritur rezultate të konsiderueshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Punësimi, arsimimi, shëndetësia kanë njohur zhvillim, të drejtat e grave e barazia gjinore gjithashtu, u shpreh diplomati, por vazhdon problemi i kriminalitetit, trafikimit të qenieve njerëzore, drogës dhe korrupsionit, të cilat ndikojnë negativisht dhe për cilat ende ka punë për të bërë.

Lidhur me marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë e Kinës, Çlirim Çepani tha se ato duhet të thellohen më tej.

"Ne kemi pasur historikisht marrëdhënie shumë të mira me Kinën dhe jemi për zhvillimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat: ekonomi, investime, kulturë, arsim, sporte, kudo që ka interesa të përbashkëta, jo vetëm në fushën e të drejtave të njeriut", përfundoi z. Çepani. (Haris)

Mrekulli
Lajmet Kryesore