Shqipëri: Nismë ligjore për sigurimin e banesave dhe bizneseve nga fatkeqësitë natyrore

2017-12-05 10:06:04 CRI Komenti juaj Printoni

Shqipëria pritet të ndërmarrë një nismë ligjore për sigurimin e banesave dhe bizneseve nga fatkeqësitë natyrore. Sipas kryeministrit Edi Rama, kjo nismë synon të garantojë kompensimin e bizneseve dhe të familjarëve nga dëmet e shkaktuara nga përmbytjet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore dhe do të shërbejë si një mekanizëm për zvogëlimin e efekteve fiskale ndaj fatkeqësive.

Në mbledhjen e Komitetit të Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile dhe krizave, Rama theksoi se, Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka miratuar një ligj të tillë, prandaj njerëzit e prekur nga përmbytjet mbetën në mëshirë të fatit duke pritur nga buxheti i shtetit që nuk mund të përballojë gjithë dëmet.

"Të gjithë qytetarët shqiptarë dhe sipërmarrësit duhet të ndërgjegjësohen që si në çdo vend normal, të sigurojnë banesat dhe bizneset e tyre nga fatkeqësitë natyrore," tha Rama.

Një propozim i tillë bëhet në një kohë kur një pjesë e konsiderueshme e territorit të Shqipërisë është e mbuluar nga uji si pasojë e përmbytjeve masive të ditëve të fundit.

Rama theksoi se investimet e bëra në të kaluarën rezultuan të dobishme dhe ndihmuan në zvogëlimin e dëmeve nga fatkeqësia, megjithatë ai shtoi se duhet të bëhen një sërë ndërhyrjesh të tjera për mbrojtjen e shtretërve të lumenjve nga ndërtimet. Gjithashtu, dëmtimi i shiritave të gjelbër të pyjeve ka sjellë dëme të mëdha, ndërsa paralajmërohet mbillja e zonave të dëmtuara. (Haris)

Mrekulli
Lajmet Kryesore