Shqipëria vazhdon të përballet me përmbytje të mëdha

2017-12-04 10:25:40 CRI Komenti juaj Printoni

Niveli i lumenjve të Shqipërisë filloi të bjerë të dielën, por veriu i vendit u mbulua nga dëbora, duke e keqësuar gjendjen e përmbytjeve. Si rezultat i reshjeve të dëborës, disa fshatra në veri të vendit u bllokuan të dielën, ndërsa po punohet për hapjen e akseve rrugore kryesore.

Përmbytjet masive në Shqipëri të shkaktuar nga shirat dhe stuhitë e mëdha vazhduan me ditë të tëra, duke mbuluar me ujë shumë territore. Deri tani, një person ka humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të tre ditëve të fundit.

Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave raportoi se mbi 600 familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre të përmbytura.

"Numri i shtëpive të prekura nga uji ose të përmbytura në të gjithë vendin është 3.337, por të gjithë ne jemi të mobilizuar për të zbutur efektet e përmbytjeve në vend," u tha gazetarëve kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi.

Ai shtoi se përmirësimi i motit i ndihmoi ekipet e shpëtimit dhe Forcat e Armatosura në terren që nga dita e enjte.

Disa shkolla fillore janë dëmtuar dhe mbyllur. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, njoftoi të dielën se 56 shkolla në të gjithë vendin nuk mund të rifillonin mësimin ditën e hënë.

Autoritetet kanë filluar të llogarisin dëmin financiar dhe kompensimin e të prekurve nga përmbytjet.

Sipas kryeministrit Edi Rama, qeveria do të kompensojë të gjithë qytetarët për humbjet e tyre. (Haris)

Mrekulli
Lajmet Kryesore