Kina dhe EQL-ja, hapa drejt epokës së re të bashkëpunimit

2017-11-28 17:27:39 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministri i Kinës Li Keqiang mori pjesë të hënën në Takimin e 6-të të Liderëve të Kinës dhe të Vendeve të Europës Qendrore e Lindore që u zhvillua në Budapest. Rezultatet e arritura në këtë takim do të bëjnë që marrëdhëniet ekonomiko-tregtare dhe në fushën e investimeve midis Kinës dhe EQL-së të hyjnë në një epokë të re.

Sivjet është 5-vjetori i fillimit të mekanizmit të "Bashkëpunimit 16+1" midis Kinës dhe EQL-së. Gjatë kësaj periudhe, nën drejtimin e Takimit të Liderëve të këtyre vendeve, "Bashkëpunimi 16+1" është bërë gjithnjë e më i pjekur dhe është intensifikuar. Bashkëpunimi në fusha të ndryshme mes Kinës dhe vendeve të EQL-së ka hedhur hapa të mëdhenj dhe është bërë një element i spikatur i bashkëpunimit shumëpalësh të hapur.

Të dhënat statistikore e dëshmojnë më së miri këtë gjë. Gjatë pesë vjetëve të fundit, vëllimi i përgjithshëm i investimeve kineze në 16 vendet e EQL-së u rrit nga 3 miliardë në 9 miliardë dollarë amerikanë. Vetëm vitin e kaluar, tregtia dypalëshe u rrit me 4.3 %, ndërsa në tre tremujorët e parë të sivjetshëm, u shtua ndjeshëm, duke arritur në masën prej 14.1%. Po gjatë pesë vjetëve të fundit, trenat e mallrave kanë bërë mbi 6000 udhëtime në Linjën Hekurudhore Ekspres që lidh Kinën me Europën Lindore, duke shkuar në katër vende dhe tetë qytete të Europës Qendrore e Lindore. Ndërmjet Kinës dhe vendeve të EQL-së janë hapur gjithashtu gjashtë linja të reja fluturimesh ajrore. Numri i turistëve kineze në vendet e EQL-së u rrit nga 280 mijë në 930 mijë, ndërsa është dyfishuar numri i studentëve të shkëmbimit midis Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore.

Të dhënat tregojnë që bashkëpunimi midis Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore është rritur me shpejtësi dhe ekziston hapësirë e gjerë për zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Për sa u përket investimeve për shembull, investimet kineze jashtë vendit janë rritur me ritme të shpejta vitet e fundit, duke arritur në qindra miliardë dollarë në vit. Por tani investimet kineze në Europën Qendrore e Lindore janë vetëm 9 miliardë dollarë amerikanë, gjë që tregon se qoftë edhe vetëm kur bëhet fjalë për fushën e investimeve, ka një potencial shumë të madh për bashkëpunimin ndërmjet të dyja palëve.

Për të nxitur shkëmbimet dhe investimet, gjatë takimit të liderëve në Hungari, qeveria kineze shpalli dy masa të reja. Së pari, themelimi i Shoqatës Ndërbankare Kinë-EQL, në kuadër të së cilës Banka e Zhvillimit e Kinës do të sigurojë një fond prej 2 miliardë eurosh për projektet e zhvillimit. Së dyti, ka përfunduar faza e dytë e krijimit të Fondit të Bashkëpunimit dhe të Investimeve të Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore me kapital fillestar prej 1 miliard dollarësh, i cili do të investohet kryesisht në Europën Qendrore e Lindore. Bashkëpunimi mes Kinës dhe EQL-së në fusha të tilla si marrëveshjet swap, bërja e pagesave me monedhë vendore etj., pritet të thellohet dhe më shumë vende do të përfitojnë nga një bashkëpunim i tillë, që sjell uljen e kostos së tregtisë dhe investimeve.

Objektivi i palës kineze është që Kina dhe Europa Qendrore e Lindore të shfrytëzojnë epërsitë e veta dhe të eksplorojnë hapësirën e pashfrytëzuar për rritjen ekonomike. Në një mënyrë, ky është thellim i mëtejshëm i nismës "Një brez, një rrugë". Gjithashtu Kina dëshiron që më shumë vende dhe rajone të tjera të përfitojnë nga "efekti i përhapjes" i një bashkëpunimi të tillë. (Wang Xianya/Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore