'16+1', Shqipëria e gatshme të përfshihet në projekte kombëtare e ndër-rajonale

2017-11-28 10:13:30 CRI Komenti juaj Printoni

Shqipëria e shikon mekanizmin '16+1', si një platformë të rëndësishme komunikimi dhe ndërveprimi, theksoi dje zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi.

Në fjalën e saj në Samitin e 6-të mes Kinës dhe 16 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në Budapest, Mesi theksoi rëndësinë e kësaj nisme si një instrument shumë i mirë bashkëpunimi ndërmjet shteteve në drejtim të rritjes dhe përforcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes tyre në fusha të ndryshme.

Zv./kryeministrja shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të vazhduar angazhimin me projekte konkrete kombëtare dhe ndërrajonale në infrastrukturën rrugore e hekurudhore, energji, turizëm apo bujqësi, të cilat do të përmirësojnë më tej cilësinë dhe efikasitetin e këtij partneriteti.

Në kuadër të Samitit, u firmosën dy marrëveshje bashkëpunimi me Kinën: një në fushën e doganave dhe një në fushën e energjisë, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes vendeve.

Përveç takimeve të liderëve, samiti u shoqërua edhe me një forum biznesi dhe me takime mes koordinatorëve kombëtarë të çdo vendi. Në të njëjtën kohë, u firmos edhe "Udhërrëfyesi i Budapestit", i cili do të përforcojë edhe më shumë bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrëse.

Shqipëria mbetet mbështetëse e çdo nisme që sjell përfitime të ndërsjella për ekonominë dhe popujt tanë dhe është e vendosur për të ndjekur nismat e ndërmarra duke u përpjekur t'i kombinojë ato me agjendën e integrimit europian.

Nisma 16+1 synon të thellojë dhe zgjerojë bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrëse, 11 prej të cilave janë vende anëtare të Bashkimit Europian.

Drejtimet dhe fushat e bashkëpunimit në kuadër të kësaj Nisme, janë në të njëjtën linjë me përparësitë e tanishme që ka Shqipëria dhe në shumë prej tyre, vendi ka mundësi për të ofruar dhe realizuar bashkëpunime e përfitime konkrete në fusha të ndryshme. (ATSh/Leftion Peristeri)

Mrekulli