Tiranë, organizohet takimi rinor Kinë-Shqipëri

2017-11-22 14:11:00 CRI Komenti juaj Printoni

Ambasada e Kinës në Shqipëri organizoi të hënën një takim mes të rinjve nga Kina dhe Shqipëria si "trashëgimi e miqësisë tradicionale".

Në këtë takim ishin të pranishëm ambasadorja Jiang Yu, këshilltari politik Bai Yunbin, Kryetar i Forumit Rinor te Partisë Demokratike të Shqipërisë Belind Këlliçi, Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Floida Kerpaci, përfaqësuesja e FRESSH-it Ana Abdi, kryetari i Shoqatës Kulturore Alb-China, Iljaz Spahiu, Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë, Spartak Nano, të rinjtë diplomatë në ambasadën kineze në Shqipëri, studentë kinezë, përfaqësues nga Instituti i Konfucit në Tiranë si dhe mbi 90 të ftuar të tjerë. Përmes kësaj veprimtarie, të pranishmit patën rastin të zhvillonin bisedime miqësore mes tyre.

Në fjalimin e saj, ambasadorja Jiang tha se me rastin e 68-vjetorit të themelimit të marrëdhënieve diplomatike Kinë-Shqipëri, organizimi i këtij takimi mes të rinjve nga dy vendet ka një rëndësi të veçantë. Viti 2017 përkon me 105-vjetorin e Festës Kombëtare të Shqipërisë. Me këtë rast ajo uroi lulëzimin e Shqipërisë si dhe u uroi shqiptarëve lumturi dhe shëndet.

Ajo tha se vitet e fundit, shkëmbimet rinore mes dy vendeve janë zhvilluar në mënyrë të pandërprerë. Bashkëpunimi mes organizatave rinore ka qenë pozitiv, duke u bërë një pikë e re në shkëmbimet njerëzore mes dy vendeve dhe duke luajtur një rol të madh në nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve kino-shqiptare. Partitë e ndryshme shqiptare i kushtojnë shumë vëmendje zhvillimit të marrëdhënieve me Kinën dhe kanë marrë pjesë aktivisht në çështjet e të rinjve, si dhe në aktivitetet përkatëse të nismës "Një brez, një rrugë" dhe "Bashkëpunimit 16+1", duke dhënë kontribut të madh për rritjen e shkëmbimeve mes të rinjve nga dy vendet. Ajo theksoi se pala kineze i vlerëson shumë këto kontribute.

Ambasadorja Jiang shtoi se të rinjtë kanë më shumë energji dhe ideale. Ata janë një forcë nxitëse e përparimit shoqëror. Dy popujt gëzojnë një miqësi të sinqertë prej shumë vitesh. Të rinjtë janë shpresa e së ardhmes së marrëdhënieve kino-shqiptare dhe do të bëhen trashëgues të miqësisë tradicionale mes dy popujve.

"Ambasada kineze është e gatshme ta ruajë bashkëpunimin miqësor me organizatat rinore të partive të ndryshme shqiptare dhe të zhvillojë më shumë aktivitete të përshtatshme për të rinjtë, duke nxitur zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kino-shqiptare", tha ambasadorja Jiang.

Përfaqësuesit e të rinjve që morën pjesë në këtë takim, zhvilluan diskutime për bashkëpunimin konkret mes dy vendeve, duke theksuar ruajtjen e rolit të të rinjve. Përfaqësuesit e të rinjve shqiptarë u shprehën se miqësia shqiptaro-kineze ka një histori të gjatë dhe se të rinjtë shqiptarë duhet të njohin jo vetëm historinë e kulturën e Kinës, por duhet të mësojnë nga përvoja e zhvillimit të madh dhe suksesit të Kinës moderne. (Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore