Shqipëria e Mali i Zi fillojnë studimin për ndërtimin e autostradës Adriatik-Jon

2017-11-22 10:46:44 CRI Komenti juaj Printoni

Shqipëria dhe Mali i Zi po punojnë së bashku për studimin e fizibilitetit të autostradës Adriatik-Jon.

Nga ky studim pritet kryerja e një analize të hollësishme mbi investimin dhe prioritetet e ndërtimit me qëllim hartimin e një projekti financiarisht të mundshëm për t'u mbështetur.

Gjatë vizitës zyrtare në Podgoricë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri zhvilloi bisedime me ministrin e Transportit dhe të Marinës, Osman Nurkovic dhe ministren e Ekonomisë, Dragica Sekulic.

"Diskutuam në lidhje me projektet e infrastrukturës rrugore ku të dyja vendet kanë si projekt prioritar autostradën Adriatik-Jon. Kemi marrë financimet e nevojshme për të bërë studimin përfundimtar të fizibilitetit. U njoha edhe me projektet e zhvillimeve infrastrukturore në Malin e Zi që ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në lidhjen me Shqipërinë. Ngrita problemet që kërkojnë vëmendjen e palës malazeze për kompletimin e rrugëve të tjera dytësore që lidhin pika të tjera kufitare me Shqipërinë", theksoi ministri Gjiknuri.

Në takimin me Ministren e Ekonomisë që mbulon dhe pjesën e energjetikës, Gjiknuri u ndal tek angazhimi për projektin e përbashkët të gazsjellësit Jonian Adriatik Pipeline (IAP).

Gjiknuri shtoi se qeveria synon që ndërtimi i autostradës Adriatik-Jon, i njohur si projekti i Korridorit Blu, të fillojë para vitit 2020.

Autostrada shtrihet përgjatë bregut lindor të deteve Adriatik dhe Jon, që përfshin bregun perëndimor të Gadishullit Ballkanik dhe kalon nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria dhe Greqia. (ATSh/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore