Kina e Maroku nënshkruajnë dokumentin e bashkëpunimit për "Një brez, një rrugë"

2017-11-17 18:08:41 CRI Komenti juaj Printoni

Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u takua të premten në Pekin me ministrin e Jashtëm dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Marokut Nasser Bourita. Pas bisedimeve, të dyja palët nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit mes dy qeverive mbi nxitjen e nismës "Një brez, një rrugë". Maroku bëhet kështu vendi i parë i Magrebit që nënshkruan një dokument të tillë.

Kjo është vizita e parë e Nasser Bourita-s në Kinë pas marrjes së postit të ministrit të Jashtëm të Marokut në prill të këtij viti. Në takim, kryediplomati kinez Wang Yi u shpreh se vitet e fundit, marrëdhëniet midis Kinës e Marokut janë zhvilluar shpejt. Vitin e kaluar, mbreti marokian Muhammed VI vizitoi Kinën dhe Kina e Maroku vendosën marrëdhëniet e partneritetit strategjik. Më tej Wang Yi theksoi:

"Vitin e ardhshëm do të jetë 60-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes të dy vendeve, duke shënuar hyrejn e marrëdhënieve të partneritetit strategjik ndërmjet të dy vendeve në një fazë të re. Ne duhet të realizojmë konsensusin e arritur nga liderët e dy vendeve dhe të planifikojmë siç duhet veprimtaritë për kremtimin e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, që do të jetë një rast i rëndësishëm për nxitjen e bashkëpunimit të gjithanshëm. Jam i gatshëm të shkëmbej mendime me zotin ministër të Jashtëm, për të arritur konsensus të ri dhe për të bërë përpjekje të përbashkëta."

Nasser Bourita shprehu në emër të palës marokiane urime për zhvillimin me sukses të Kongresit të 19-të të PKK-së. Ai tha se marrëdhëniet midis Marokut dhe Kinës mbështeten mbi bazën e miqësisë tradicionale dhe interesave të përbashkëta. Kina është një partnere e besueshme e Marokut dhe pala marokiane e përkrah palën kineze në ruajtjen e sovranitetetit, tërësisë territoriale dhe të drejtave detare të saj. Pala marokiane shpreson që bashkë me palën kineze të vazhdojnë të forcojnë përkrahjen e bashkërendimin e ndërsjellë në fushën politike, të sigurisë e antiterrorizmit, si edhe për çështjet e mëdha ndërkombëtare e rajonale, duke zgjeruar më tej bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë në fusha të ndryshme, si tregtia, investimet, ndërtimi i hekurudhave etj. Bourita i mirëpriti kompanitë kineze të shfrytëzojnë epërsinë gjegrafike të Marokut, për ta zgjeruar tregun e tyre në Afrikë dhe vendet arabe. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore