Ekonomia shqiptare u rrit me 4.1%

2017-11-15 09:39:26 CRI Komenti juaj Printoni
Industria bankare është faktor kyç në rritjen ekonomike të vendit dhe Banka e Shqipërisë është e angazhuar të mbështesë trendin e rritjes.

Kështu u shpreh dje Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë në konferencën "Bankat dhe Rritja Ekonomike në Shqipëri", të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në Tiranë ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, bankier dhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare .

"Vlerësimet e fundit tregojnë për një trajektore në rritje të ekonomisë shqiptare për periudhën afatmesme", tha Guvernatori.

"Ekonomia shqiptare u rrit me 4.1% gjatë tremujorit të dytë të vitit. Kjo rritje u mbështet nga zgjerimi i kërkesës së brendshme private, nga përmirësimi i bilancit të shkëmbimeve tregtare me jashtë, si dhe nga rritja e shpenzimeve publike dhe nivelet e larta të investimeve të huaja direkte gjatë kësaj periudhe," tha Sejko.

Politika monetare, vijoi Guvernatori do të vijojë të mbështesë kërkesën e brendshme ndërsa sistemi bankar është i mirëkapitalizuar dhe likuid.

Duke argumentuar ecurinë pozitive të treguesve ekonomik, Sejko theksoi se, ndikim ka dhënë edhe politika fiskale, e cila ka krijuar hapësira për financimin e sektorit privat.

Sejko nënvizoi gjatë fjalës së tij, se sot industria bankare është ndryshe nga ajo e disa viteve më parë, duke shtuar se ka ende sfida.

"Situata aktuale është e ndryshme nga ajo e disa viteve më parë. Treguesi i kredive me probleme po ulet, bilancet e sistemit janë sot të vlefshme dhe çmimet e kreditetit janë ulur sot në nivele historike. Gjashtë mujori i parë i vitit 2016 e gjen sistemin bankar më të suksesshëm. Kemi arritur rezultate konkrete, gjendja financiare paraqitet sot më e shëndetshme. Ka ardhur momenti që kredidhënia të zërë vendin që i takon dhe kjo kërkon përkushtim", tha Guvernatori.

Sipas tij, sistemet bankare të pazhvilluara krijojnë çrregullime në stabilitetin e vendin. Revolucioni i madh teknologjik ka eliminuar barrierat fizike. Përfshirja dhe edukimi financiar janë dy sfidat tjera në sistemin tonë, që duhen zhvilluar më tej.

Guvernatori i bëri apel bankave tregatre të nxisin kreditimin si faktor i rëndësishëm në rritjen e ekonomisë. (ATSH)

Mrekulli
Lajmet Kryesore