Kinë-ASEAN, diskutime intensive mbi Kodin e Sjelljes në Detin e Kinës Jugore

2017-11-14 20:10:01 CRI Komenti juaj Printoni

Liderët e Kinës e të vendeve të ASEAN-it shpallën zyrtarisht të hënën fillimin e konsultimeve të ardhshme mbi tekstin e "Kodit të Sjelljes në Detin e Kinës Jugore". Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Geng Shuang u shpreh se vitin e ardhshëm palët do të zhvillojnë bisedime intensive mbi "Kodin e Sjelljes në Detin e Kinës Jugore", dhe shprehu shpresën se ky dokument do të pranohet sa më shpejt nga të gjitha palët.

Në një konferencë shtypi të martën në Pekin, Geng Shuang-u u shpreh:

"Vitin e ardhshëm, Kina dhe vendet e ASEAN-it do të diskutojnë intensivisht mbi 'Kodin e Sjelljes në Detin e Kinës Jugore'. Kina dëshiron që bashkë me vendet e ASEAN-it të nxitë mirëkuptimin e besimin e ndërsjellë nëpërmjet diskutimeve mbi 'Kodin', duke krijuar një sistem rregullash që pasqyron vullnetin e vendeve të rajonit dhe që përputhet me situatën konkrete të këtyre vendeve dhe u shërben interesave të tyre. Shpresojmë se me përpjekjet e palëve të ndryshme, bisedimet do të arrijnë përparime dhe se për 'Kodin' do të arrihet konsensus sa më shpejt nëpërmjet diskutimeve. Kështu, 'Kodi' do të bëhet 'stabilizues' për ruajtjen e paqes në Detin e Kinës Jugore."

Në majin e këtij viti, në takimin e 14-t të zyrtarëve të lartë për zbatimin e "Deklaratës së Sjelljes së Palëve të Detit të Kinës Jugore", u miratua korniza e "Kodit të Sjelljes në Detin e Kinës Jugore". Në gusht, në takimin e ministrave të jashtëm Kinë-ASEAN, të 11 ministrat e Jashtëm e konfirmuan zyrtarisht këtë kornizë. Më 13 nëntor, liderët e Kinës dhe të vendeve të ASEAN-it shpallën zyrtarisht fillimin e bisedimeve mbi tekstin e "Kodit të Sjelljes në Detin e Kinës Jugore". Geng Shuang tha se deri tani diskutimet mbi "Kodin" kanë arritur përparime, duke luajtur një rol të rëndësishëm për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Detin e Kinës Jugore. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore