Filipine, zhvillohet Takimi i 20-të i Liderëve të ASEAN+3

2017-11-14 15:24:29 CRI Komenti juaj Printoni

Të martën u zhvillua në kryeqytetin filipinas Manila Takimi i 20-të i Liderëve të ASEAN-it dhe të Kinës, Japonisë e Koresë së Jugut (10+3). Liderët pjesëmarrës në këtë takim vlerësuan lart rezultatet e arritura në bashkëpunimin 10+3 gjatë 20 vjetëve të fundit dhe vunë në dukje se në të ardhmen duhet të vazhdojë ruajtja e bashkekzistencës paqësore dhe nxitja e zhvillimit të përbashkët.


Takimi u kryesua nga presidenti i Filipineve, vendi kryetar i radhës i ASEAN-it, Rodrigo Duterte. Të pranishëm ishin edhe kryeministri i Kinës Li Keqiang, kryeministri i Japonisë Shinzou Abe dhe presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in. Në takim u hodh një vështrim mbi bashkëpunimin e deritanishëm në kuadër të mekanizmit 10+3 dhe u diskutua mbi drejtimin e zhvillimit në të ardhmen. Po ashtu, u shkëmbyen mendime mbi marrëdhëniet midis tregtisë e investimeve, mjedisin dhe zhvillimin e vazhdueshëm, si edhe probleme të tjera rajonale e ndërkombëtare me interes të përbashkët.


Duterte u shpreh në fjalimin e vet se gjatë 20 vjetëve të fundit, bashkëpunimi midis ASEAN-it dhe Kinës, Japonisë e Koresë së Jugut është zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme. Qëllimet e zhvillimit të përbashkët kanë krijuar mundësinë që edhe lidhjet e ndërsjella të jenë të ngushta dhe bashkëpunimi ka pasur arritje të mëdha, theksoi Duterte. Në të ardhmen, ASEAN-i dhe Kina, Japonia e Koreja e Jugut duhet të vazhdojnë bashkekzistencën paqësore dhe të nxitin zhvillimin e përbashkët, tha kreu i shtetit filipinas. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore