Bashkimi Europian fillon bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes

2017-11-14 10:35:44 CRI Komenti juaj Printoni

Bashkimi Europian ka hyrë në një epokë të re të bashkëpunimit për mbrojtjen.

23 nga 28 vendet anëtare kanë nënshkruar një program të njohur si Struktura e Përhershme e Bashkëpunimit (SPB).

Programi i përbashkët i bashkëpunimit dhe i zhvillimit synon ta ndihmojë Bashkimin Europian të përballet me sfidat e sigurisë.

Shefja e Politikës së Jashtme, Federica Mogherini, thotë se kjo strukturë e re do të plotësojë rolin e NATO-s.

"Dua të them se kurrë më parë ne nuk kemi zhvilluar së bashku një program kaq të fortë për sigurinë e Bashkimit Europian dhe bashkëpunuar në nivel për mbrojtjen. Ne kurrë më parë nuk kemi pasur bashkëpunim kaq të fortë midis Bashkimit Europian dhe NATO-s dhe kjo tregon se të dyja organizmat mund të zhvillohen së bashku."

Sipas marrëveshjes, të 23 vendet nënshkruese do të hartojnë një plan të përbashkët veprimi.

Shefat e mbrojtjes së Bashkimit Europian dhe Agjencia Europiane e Mbrojtjes do të vlerësojnë nëse plani po respektohet.

Vendet që nuk i plotësojnë detyrat mund të përjashtohen prej grupit, ndërkohë mësohet se programi do të fillojë në muajin dhjetor.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e përshëndeti nismën dhe e konsideroi atë si shtyllën europiane të NATO-s.

Vendet nënshkruese janë të detyruara të shtojnë shpenzimet për mbrojtjen, por jo të nivelit të NATO-s, që kërkon deri në 2 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore