Kreu i OKB-së do të vizitojë paqeruajtësit në Republikën e Afrikës Qendrore

2017-10-19 20:00:08 CRI Komenti juaj Printoni
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ka bërë të ditur se i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të rrisë numrin e trupave të Kombeve të Bashkuara në Republikën e Afrikës Qendrore.

"Ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për të ruajtur këto arritje, për të mbështetur operacionet paqeruajtëse të OKB-së dhe për të mbrojtur paqen. Unë sapo i kam kërkuar Këshillit të Sigurimit të rrisë numrin e trupave në Republikën e Afrikës Qendrore dhe të shtojë kapacitetet e tyre për të përballuar sfidat shumë dramatike me të cilat ndeshen. Por nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë krizë ".

Guterres-i do të udhëtojë në Republikën e Afrikës Qendrore javën e ardhshme për të vizituar forcat paqeruajtëse atje dhe për të festuar me ta Ditën e Kombeve të Bashkuara, më 24 tetor.

Ai vuri në dukje se që nga fillimi i këtij viti 67 paqeruajtës kanë vdekur në detyrë, duke përfshirë 12 në Republikën e Afrikës Qendrore.

Guterres-i do të trajtojë gjithashtu gjatë vizitës së tij edhe çështjen e shfrytëzimit dhe abuzimit seksual nga paqeruajtësit.

Kreu i OKB-së ka njoftuar se një nismë e re për këtë çështje ka fituar mbështetje. 72 vende e kanë nënshkruar atë dhe 19 të tjera po e shqyrtojnë seriozisht, kurse 57 udhëheqës shtetesh janë bashkuar për çështjen e shfrytëzimit dhe abuzimit seksual, u shpreh ai.

Republika e Afrikës Qendrore ka qenë në luftë civile që nga viti 2012 për shkak të konflikteve fetare dhe etnike.

Mrekulli
Lajmet Kryesore