Grupi i Vishegradit, përkrahje anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE

2017-10-16 09:44:32 CRI Komenti juaj Printoni

Të dielën përfundoi takimi dyditor i katër krerëve të shteteve të Grupit të Vishegradit në qytetin Saksar të Hungarisë. Hungaria, Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia ranë dakord të mbështesin futjen në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti hungarez Janos Adee tha se në Ballkanin Perëndimor ka konflikte territoriale, etnike, fetare e gjeopolitike, dhe mënyra më e mirë për të parandaluar këto konflikte është përshpejtimi i ritmit të hyrjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Sipas tij, kushtet dhe kohëzgjatja e pranimit vë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Union duhet të qartësohen.

Presidenti polak Andrzej Duda theksoi se BE-ja nuk duhet të jetë një klub i mbyllur, por një organizatë e gjallë dhe e hapur. BE-ja duhet të hapë dyert për vendet që janë gati për të hyrë në të. Ai u shpreh për vendosjen e një afati kohor për vendet që dëshirojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian, pasi ai do t'i nxiste këto vende për zhvillimin e ekonomisë dhe luftën kundër korrupsionit.

Presidenti çek Milosh Zeman tha se përhapja e forcave radikale në Ballkanin Perëndimor nuk ndihmon për rigjallërimin e vendeve të rajonit dhe do të pengonte procesin e pranimit të vendeve të rajonit në BE.

Presidenti i Sllovakisë Andrej Kiska tha se qëllimi i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor është të bëhen pjesë e BE-së. Ai vuri në dukje se rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet aktualisht me rritjen e ngadaltë ekonomike dhe çështje të tjera, duke shtuar se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë të bëjnë reformat e nevojshme për t'u pranuar në BE.

Katër presidentët u përqendruan gjithashtu në ekonominë qarkulluese, në shoqërinë digjitale dhe në çështje të tjera.

Ballkani Perëndimor përfshin vende të tilla si Kroacia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia. Në vitin 2013, Kroacia u bë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që u anëtarësua në Bashkimin Evropian. (Vera)

Mrekulli
Lajmet Kryesore