Palestinë, nënshkruhet marrëveshja e pajtimit Fatah-Hamas

2017-10-13 09:44:29 CRI Komenti juaj Printoni

Një marrëveshje midis dy lëvizjeve më të mëdha rivale në Palestinë Hamas dhe Fatah, u nënshkrua për një qeveri bashkimi. Autoriteti Palestinez do të marrë kontrollin e plotë të Rripit të Gazas, nga duart e Hamasit, deri më 1 dhjetor 2017, në favor të marrëveshjes së nënshkruar sot nga lëvizja islamike dhe rivali i saj Fatah, njoftoi qeveria egjiptiane.

Zëdhënësi i Hamas-it Salah Bardaweel:

"Sot, nën patronazhin egjiptian u nënshkrua protokolli i parë për zbatimin e marrëveshjes së pajtimit. Kjo marrëveshje lidhet me fuqizimin e qeverisë së unitetit të ushtrojë përgjegjësitë e plota në menaxhimin e Rripit të Gazës."

Nënshkruar pas bisedimeve dyditore të ndërmjetësuara nga Egjipti, marrëveshja konsiderohet një rifillim i marrëveshjes së ngrirë arritur në vitin 2011.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres përshëndeti nënshkrimin e këtij pakti.

Guterres ripohoi se Kombet e Bashkuara janë të gatshme të vijojnë bashkëpunimin me autoritetet palestineze dhe në rajon për të mbështetur qeverinë të ushtrojë përgjegjësi të plota në Rripin e Gazës.

Shefi i OKB-së theksoi nevojën e vazhdueshme për të adresuar menjëherë krizën humanitare në Gazë, veçanërisht për krizën e energjisë elektrike dhe për përmirësimin e qasjes në dhe nga territori.

Marrëveshja e pajtimit është përshëndetur edhe nga Liga Arabe.

Në një deklaratë, Liga Arabe përgëzon udhëheqësin palestinez Mahmoud Abbas, fraksionet dhe popullin e Palestinës për arritjen e marrëveshjes që mund t'i japë fund përçarjes disavjeçare politike mes dy lëvizjeve kryesore në Palestinë.

Izraeli mori Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor gjatë Luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967 dhe qysh nga ajo kohë ka kontrolluar këto territore, pavarësisht kundërshtimeve nga komuniteti ndërkombëtar. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore