Kryenegociatori i BE-së: Jo marrëveshje për "Brexit"-in është "marrëveshje e keqe"

2017-10-12 20:51:32 CRI Komenti juaj Printoni

Bisedimet për "Brexit"-in gjenden aktualisht në një "rrugë pa krye shqetësuese", por mospatja e një marrëveshjeje midis Bashkimit Europian dhe Britanisë do të ishte një "marrëveshje e keqe", u tha gazetarëve të enjten kryenegociatori i BE-së për "Brexit"-in Michel Barnier.

"Asnjë hap i madh nuk është bërë në bisedimet për 'Brexit'-in këtë javë, por ne ende kemi një qëllim të përbashkët," u shpreh Barnier në një konferencë të përbashkët për shtypin me homologun e vet britanik David Davis, duke pohuar se bërja e gjërave në radhën e duhur është çelësi i suksesit të bisedimeve për "Brexit"-in dhe se marrëdhëniet e ardhshme të BE-së me Britaninë nuk janë objekt i fazës së parë të negociatave.

Nga ana e tij, Davis-i u kërkoi 27 vendeve të tjera anëtare të BE-së që, në samitin e liderëve të BE-së që do të zhvillohet më 19 tetor në Bruksel, të njohin përparimin e arritur në pesë raundet e fundit të bisedimeve, gjë që është parakusht për fillimin e fazës së dytë të negociatave.

Gjatë raundit të pestë të bisedimeve, Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk tha në "Twitter" të martën se 27 vendet e tjera të BE-së nuk po punojnë lidhur me një skenar të mundshëm të mospasjes së një marrëveshjeje në bisedimet e tyre me Britaninë për "Brexit"-in.

"Ne negociojmë në mirëbesim dhe shpresojmë për 'përparim të mjaftueshëm' deri në dhjetor," theksoi Donald Tusk. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore