Kina kundërshton hyrjen e paautorizuar të anijes ushtarake amerikane

2017-10-11 19:05:32 CRI Komenti juaj Printoni

Hyrja e paautorizuar e anijes ushtarake amerikane në ujërat territoriale kineze përbën shkelje të ligjit kinez e atij ndërkombëtar, duke dëmtuar rëndë sovranitetin dhe sigurinë e Kinës. Kështu u shpreh të mërkurën në një konferencë shtypi në Pekin zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Hua Chunying, duke shtuar se Kina e kundërshton këtë në mënyrë të vendosur këtë veprim.

Sipas njoftimeve, të martën destrojeri amerikan "USS Chafee" hyri pa autorizimin e qeverisë kineze në ujërat e ishujve Xisha, për të bërë të ashtuquajturin "lundrim të lirë". Kina dërgoi menjëherë anije ushtarake për të bërë identifikimin e anijes amerikane, duke i dhënë në të njëjtën kohë paralajmërim për t'u larguar.

Duke e konfirmuar një gjë të tillë, zëdhënësja e diplomacisë kineze u shpreh:

"Ishujt Xisha janë pjesë territoriale e Kinës. Në muajin maj të vitit 1996, qeveria kineze, në bazë të 'Ligjit të ujërave territoriale detare të Republikës Popullore të Kinës', shpalli vijën bazë detare të ishujve Xisha. Veprimet e anijes amerikane janë shkelje e ligjit kinez dhe e ligjit ndërkombëtar, duke dëmtuar rëndë sovranitetin e sigurinë e Kinës dhe duke rrezikuar sigurinë e personelit të të dyja palëve. Kina e kundërshton këtë në mënyrë të vendosur dhe i ka paraqitur protestën e vet serioze palës amerikane."

Hua Chunying-u theksoi se qeveria kineze do të vazhdojë të marrë masa të vendosura për të mbrojtur sovranitetin territorial dhe interesat detare të Kinës. Pekini e nxit palën amerikane të respektojë sovranitetin dhe sigurinë e Kinës dhe përpjekjet e vendeve të rajonit për ruajtjen e paqes e të stabilitetit në Detin e Kinës Jugore, dhe të ndalojë veprime të tilla të gabuara. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore