Ambasada kineze në Shqipëri jep "Bursat e ambasadores"

2017-09-27 19:50:39 CRI Komenti juaj Printoni
Ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu mori pjesë të dielën e kaluar në veprimtarinë e Ditës së Institutit "Konfuci" të Universitetit të Tiranës, të organizuar në qendër të kryeqytetit shqiptar, duke u dhënë gjashtë studentëve të këtij instituti "Bursën e ambasadores".

Ambasadorja Jiang vlerësoi lart rolin e Institutit "Konfuci" në mësimdhënien e gjuhës kineze, përhapjen e kulturës kineze, nxitjen e shkëmbimeve njerëzore midis Kinës e Shqipërisë etj. dhe u shpreh se Instituti "Konfuci" është jo vetëm një platformë e mësimit të gjuhës kineze dhe një dritare e njohjes së kulturës kineze, por edhe një urë e shkëmbimeve kulturore midis dy vendeve e popujve.

Sipas znj. Jiang, tani marrëdhëniet kino-shqiptare po zhvillohen shpejt dhe nevojiten gjithnjë e më shumë njohës të të dy gjuhëve e kulturave. Ajo i nxiti studentët e Institutit "Konfuci" të mësojnë me zell, të shfrytëzojnë mundësitë e mira të krijuara nga thellimi i bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat dhe të japin ndihmesë për forcimin e miqësisë midis popujve të dy vendeve.

Nga ana e tij, drejtori i Institutit "Konfuci" pranë Universitetit të Tiranës Erion Malaj u shpreh se tani shkëmbimet e bashkëpunimi shqiptaro-kinez në fushën ekonomiko-tregtare, njerëzore etj. janë forcuar pandërprerë dhe, si rrjedhim, është shtuar shumë dëshira e të rinjve shqiptarë për mësimin e gjuhës kineze. Ai e falënderoi ambasadën e Kinës në Shqipëri për përkrahjen e fuqishme ndaj Institutit "Konfuci" dhe i nxiti studentët fitues të bursës të studiojnë me zell.

Kjo është hera e parë që jepen "Bursat e ambasadores" nga ambasada kineze në Shqipëri. Në veprimtarinë e së dielës, pedagogë e studentë të Institutit "Konfuci" dhe shtetas kinezë në Shqipëri dhanë shfaqje me elemente kineze, si muzikë popullore, arte marciale, kaligrafi, mjekësi kineze, kuzhinë kineze, kultura e çajit etj., duke tërhequr qindra qytetarë shqiptarë. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore