May propozon një periudhë kalimtare dyvjeçare për "Brexit"-in

2017-09-25 19:58:14 CRI Komenti juaj Printoni
Kryeministrja britanike Theresa May e ka shprehur zyrtarisht idenë e një periudhe kalimtare dyvjeçare, për të shtyrë ndikimin e largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Duke folur në një veprimtari në Firence të Italisë, kryeministrja May ka lënë të kuptohet se periudha kalimtare dyvjeçare do t'i ndihmojë të dyja palët të përshtaten me idenë e "Brexit"-it:

"Është e qartë se njerëzit, bizneset dhe shërbimet publike duhet të bëjnë plane vetëm për një sërë ndryshimesh në marrëdhëniet midis Britanisë së Madhe dhe BE-së. Kështu, gjatë periudhës kalimtare, qasja në tregjet e njëri-tjetrit duhet të vazhdojë si tani. Dhe Britania duhet të vazhdojë të marrë pjesë në masat e tanishme të sigurisë."

May e pranoi se qeveria e saj nuk është plotësisht e përgatitur për atë që do të ndodhë kur Britania e Madhe të largohet nga Bashkimi Europian në mars 2019.

Kreu i "Downning Street"-it theksoi gjithashtu se Britania do të vazhdojë të paguajë në buxhetin e BE-së gjatë periudhës kalimtare.

Kryenegociatori i BE-së Michel Barnier e ka vlerësuar "frymën konstruktive" të fjalimit të May-it, po ka vënë në dukje se Britania duhet t'u përmbahet të gjitha rregullave e detyrimeve të BE-së gjatë periudhës kalimtare të propozuar.

(Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore