Tiranë: Pritje për 68-vjetorin e RPK-së, promovohet libri i presidentit kinez Xi Jinping(ATSH)

2017-09-23 10:24:55 CRI Komenti juaj Printoni

Në kuadër të 68-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës, Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë organizoi të premten pasdite në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë një pritje zyrtare.

Në pritje ishin të pranishëm presidenti Ilir Meta, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, zv/kryeministrja Senida Mesi, deputetë, personalitete nga fusha të ndryshme etj.

Ceremonia filloi me promovimin e librit "Qeverisja e Kinës" të presidentit kinez Xi Jinping.

Presidenti Ilir Meta u shpreh se botimi në shqip i librit të presidentit Xi Jinping është një mundësi për të njohur dhe kuptuar më mirë Kinën e sotme, filozofinë dhe vizionin e udhëheqjes së saj, reformat dhe ndryshimet e thella që kanë ndodhur në Kinë.

Duke vënë në dukje ndihmën e ndërsjellë që i kanë dhënë njëra-tjetrës Kina dhe Shqipëria në momentet e tyre të vështira, kreu i shtetit shqiptar tha se bashkëpunimi dypalësh është intensifikuar ndjeshëm vitet e fundit dhe ka hapësirë për zgjerim të mëtejshëm, sidomos në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" dhe të mekanizmit "16+1".
 
Ndërsa ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu u shpreh se këta 68-vjet qysh nga themelimi, arritjet e Kinës kanë tërhequr vëmendjen e botës , sidomos që nga zbatimi i Reformës dhe Hapjes.

Znj. Jiang Yu u ndal te nisma "Një brez, një rrugë", duke vënë në dukje se ajo ka hyrë në një fazë të re, nga konceptimi në veprim, nga planifikimi në zbatim. Ambasadorja shtoi se Kina do të vazhdojë të këmbëngulë  në politikën e hapjes dhe se zhvillimi i Kinës është një rast i mirë për të gjithë botën.

Përfaqësuesja e diplomacisë kineze në Shqipëri shprehu gjithashtu shpresën se, në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" dhe mekanizmit të "Bashkëpunimit 16+1", Kina dhe Shqipëria do të shfrytëzojnë potencialet dhe do të forcojnë bashkëpunimin, veçanërisht atë ekonomik e tregtar.

Lidhur me librin e presidentit kinez Xi Jinping "Qeverisja e Kinës", ambasadorja Yu theksoi se "ky libër u jep përgjigje sistematike çështjeve të rëndësishme teorike dhe reale lidhur me zhvillimin e Kinës në kohën moderne".

Pas ceremonisë së promovimit të librit "Qeverisja e Kinës", të pranishmit ndoqën një video prezantuese për 68-vjetorin e themelimit në RPK-së, si edhe një shfaqje artistike me këngë kineze e shqiptare etj.(ATSH)

 

Mrekulli
Lajmet Kryesore