Fillon debati në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

2017-09-20 15:45:41 CRI Komenti juaj Printoni

Debati i sesionit të 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së filloi të martën në Nju Jork. Në këtë takim marrin pjesë mbi 100 udhëheqës shtetesh, kryetarë qeverish dhe përfaqësuesit e lartë të vendeve anëtare. Në fjalimet e tyre, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres dhe kryetari i Asamblesë së Përgjithshme Miroslav Lajçak theksuan se bota po ndeshet me shumë sfida serioze, të cilat duhet zgjidhen në bazë të sistemit shumë palësh të qeverisjes globale. Debati në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të zgjasë për një javë.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres theksoi se integrimi global po ndeshet me sfida serioze dhe bashkëpunimi midis vendeve të ndryshme, rivendosja e besimit dhe ndërtimi i paqes, kanë rëndësi shumë të madhe.

Duke folur për rrezikun bërthamor, Guterres-i u shpreh se tani kërcënimi nga armët bërthamore ka arritur kulmin që nga koha e Luftës së Ftohtë, ndërsa theksoi se parandalimi i përhapjes së armëve bërthamore është bërë një detyrë urgjente.

Sekretari i përgjithshëm foli posaçërisht për problemin bërthamor të Gadishullit Korean dhe i kërkoi Koresë së Veriut që të respektojë rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit duke përmbushur detyrimin e vet ndërkombëtar. Njëkohësisht Guterres-i bëri thirrje për zgjidhjen e problemit bërthamor korean në rrugë politike.

Në fokusin e debatit të së martës ishte dhe fjalimi i parë në OKB i presidentit amerikan Donald Trump. Ai paraqiti aty konceptin "E para është ShBA-ja":

"Si president i ShBA-së, do ta vë gjithmonë ShBA-në në vendin e parë. Njësoj si të gjithë udhëheqësit e pranishëm, edhe ju do duhet t'i vini gjithmonë interesat e shtetit juaj në vendin e parë," tha kreu amerikan.

Në fjalimin e tij, Donald Trump e përcaktoi ShBA-në si mikun e botës dhe u shpreh se Uashingtoni do të vijojë të mbrojë interesat e aleatëve. Ai tha se ShBA-ja do të pakësojë kuotën e kontributit në OKB dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë paqeruajtëse ndërkombëtare sepse nuk dëshiron që të përdoret më.

Trump foli posaçërisht për problemin bërthamor korean. Sipas tij, zhvillimi i armëve bërthamore dhe lëshimi i raketave balistike nga Koreja e Veriut përbën kërcënim për mbarë botën. Ai tha se Koreja e Veriut duhet të kuptojë se zhvillimi pa armë bërthamore është e vetmja rrugëdalje dhe ShBA-ja ka forcë e durim ta mbrojë veten dhe aleatët në rast nevoje.

Mbi 100 udhëheqës shtetërorë e qeveritarë dhe përfaqësues të lartë do të mbajnë fjalime gjatë në debatit të Asamblesë së Përgjithshme. Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi do të shpalosë qëndrimin e Kinës ditën e enjte. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore