Kryeministrat e Kinës dhe Singaporit takohen për të nxitur bashkëpunimin dypalësh

2017-09-20 10:00:37 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministri kinez Li Keqiang u takua të martën në Pekin me homologun e Singaporit Lee Hsien Loong. Kjo vizitë synon të përmirësojë lidhjet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

Kjo është vizita e parë zyrtare e kryeministrit Lee Hsien Loong në Kinë që kur mori detyrën në vitin 2014. Ajo u realizua papritmas, pasi u njoftua të premten përpara vizitës së tij të planifikuar në ShBA në muajin e ardhshëm.

 

Në vitet e fundit lidhjet dypalëshe kanë kaluar disa vështirësi, veçanërisht pasi Singapori mbështeti haptazi vendimin e një gjykate ndërkombëtare mbi mosmarrëveshjet territoriale në Detin e Kinës Jugore.

Gjatë takimit të së martës, kryeministri kinez Li Keqiang u bëri thirrje të dy vendeve që t'i drejtojnë marrëdhëniet dypalëshe në binarët e duhur të zhvillimit.

"Kina dhe Singapori janë miq të mirë. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, të dyja palët nuk e kanë reshtur thellimin e bashkëpunimit pragmatik mbi parimin e barazisë dhe respektit të ndërsjellë, duke u sjellë përfitime të dy popujve. Singapori është një anëtar i rëndësishëm i ASEAN-it, koordinatori i tanishëm midis Kinës dhe ASEAN-it dhe kryesuesi i radhës i bllokut. Ne shpresojmë dhe besojmë se vizita juaj do të injektojë vrull të freskët jo vetëm në marrëdhëniet sino - singaporeze por edhe në lidhjet mes Kinës dhe ASEAN-it në tërësi."

Kina shpreson se Singapori do të mbështesë kompanitë kineze që duan të marrin pjesë në projektin e ndërtimit të hekurudhës së shpejtë midis Singaporit dhe Malajzisë. Kësaj kërkese të kryeministrit kinez, udhëheqësi i Singaporit iu përgjigj pozitivisht, duke vlerësuar përparësitë, sigurinë dhe kostot efikase të teknologjisë së hekurudhave të shpejtësisë së lartë.

Gjithashtu, udhëheqësi i Singaporit, Lee Hsien Loong, u shpreh i gatshëm për të punuar për afrimin e Kinës me vendet e ASEAN-it.

"Ndihem shumë i lumtur që kthehem në Pekin dhe u jam shumë mirënjohës për vëmendjen tuaj ndaj marrëdhënieve tona dypalëshe dhe gjithashtu për mundësinë për të diskutuar dhe punuar së bashku në kontekstin rajonal me ASEAN-in. Vitin e ardhshëm Singapori do të jetë kryesuesi i radhës i ASEAN-it. Ne shpresojmë që në këtë detyrë do të kontribuojmë për në afrimin e ASEAN-it dhe të Kinës".

Zoti Lee do të pritet gjithashtu në takime edhe nga udhëheqës të tjerë të lartë të Kinës, duke përfshirë dhe presidentin Xi Jinping. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore