Li Keqiang dhe krerët e organizatave ekonomike: "Ekonomia e Kinës është e shëndetshme"

2017-09-13 09:41:37 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministri kinez Li Keqiang dhe drejtuesit kryesorë të organizatave të mëdha ekonomike botërore u takuan në Pekin, ndërsa arritën konsensus se ekonomia e Kinës mbetet në një pozicion përgjithësisht të shëndetshëm.

Takimi i organizuar nga kryeministri Li Keqiang të martën përfshinte shefat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Organizatës Ndërkombëtare të Punës dhe Bordin e Stabilitetit Financiar.

Kryeministri kinez tha në takim se ekonomia e vendit, e cila u rrit me 6.9 për qind nga janari në qershor, do të vazhdojë të rritet me një ritëm të qëndrueshëm, duke vënë nënvizuar se një ndryshim me efekt të kundërt nuk ka gjasa të ndodhë.

Fitimet e korporatave kineze kanë njohur rritje dyshifrore që nga fillimi i këtij viti. Ekonomia kineze ka krijuar gjithashtu rreth 800 mijë vende pune në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Li tha se qeveria beson se këto shifra përfaqësojnë një cilësi më të lartë ekonomike, e cila po i sjell dobi popullit të Kinës.

"Pasuria më e madhe e Kinës janë burimet njerëzore të saj. Nuk mund të nënvlerësojmë kurrë ato që mund të arrihen dhe krijohen kur të çlirohet plotësisht e gjithë veprimtaria dhe krijimtaria e popullit kinez".

Duke ju drejtuar sesionit të së martës, Presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim tha se Kina duhet të vazhdojë të rrisë investimet e saj në burimet njerëzore.

"Disa studime tregojnë se 65% e nxënësve të shkollave fillore do të punojnë në sektorë që nuk ekzistojnë sot. Për më tepër, vlerësimet tregojnë se 60% e vendeve të punës që ekzistojnë tani në Kinë do të zëvendësohen nga automatizimi. Për të përmbushur këtë lloj ndryshimi të shpejtë, investimet në kapitalin njerëzor do të duhet të zhvillohet dhe forcohen ".

Të dhënat për një rritje të fuqishme ekonomike të Kinës për muajin gusht bënë që FMN-ja të rrisë parashikimin e saj ekonomik për Kinën për herë të tretë që nga janari. Tani ajo vlerëson se ekonomia kineze do të rritet me 6.7 për qind këtë vit, një pikë më lart se parashikimi i mëparshëm prej 6.6 për qind.

Në takimin me kryeministrin Li Keqiang të martën, shefja e FMN-së, Christine Lagarde, tha se ka ende shumë gjëra që Kina mund t'i bëjë më mirë.

"Ngritja e konsumit përmes rritjes së shpenzimeve shoqërore, rritja e rolit të forcave të tregut, ulja e borxhit dhe përqendrimi te cilësia dhe stabiliteti i rritjes sesa fokusimi te sasia e investimeve dhe përmirësimi i kornizave politike. Dhe sigurisht garantimi i hapjes së ekonomisë në nivel botëror".

Kina kontribuoi me 34 për qind të rritjes ekonomike globale vitin e kaluar.

Një raport i fundit i OECD-së me seli në Paris vë në dukje se të gjitha ekonomitë e mëdha të botës po rriten tani në sinkronizim për herë të parë në një dekadë. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore