Biçikletat inteligjente të Kinës në Londër

2017-09-13 09:39:34 CRI Komenti juaj Printoni

"Mobike", një nga kompanitë kineze për shërbimin e biçikletave inteligjente, hodhi të martën në tregun londinez 750 biçikleta, duke konkurruar ashpër me rivalin "Ofo", marka kineze që u shfaq në rrugët e Londrës vetëm një javë më parë.

Londra është qyteti i dytë i "Mobike" pas testimit të tregut në Manchester. Rreth dy muaj më parë, kompania kineze e biçikletave me qira i shtoi rrugëve të Manchester-it 1 mijë biçikleta portokalli, nismë kjo që u prit shumë mirë nga autoritetet si dhe përdoruesit e biçikletave.

Ndjekësit e rrjeteve sociale e kanë klasifikuar "Mobike" si një nga zgjedhjet më popullore për të marrë me qira një biçikletë, pasi nuk kërkon një parkim të posaçëm, pra biçikletën mund ta lësh kudo, si dhe mund ta gjesh me anë të një aplikacioni në celular.

NJë nga menaxherët e kompanisë Mobike në Britani, Li Yang, shpjegon si ta aktivizoni një biçikletë me anë të një aplikacioni të shkarkuar më parë në telefonin

"Së pari hapni programin në telefonin, skanoni kodin QR që ndodhet në biçikletë, dhe më pas mund ta ngisni."

Një nga të parët që provoi biçikletat portokalli ishte Duncan.

"E gjeta biçikletën pranë stacionit të metrosë. Hapa aplikacionin në celular, skanova kodin dhe kaq ishte! Shumë fantastike, mbërrita këtu në qendër për 5 minuta, me të vërtetë shumë e përshtatshme."

Menaxheri i përgjithshëm i "Mobike" në Britani, Steve Pyer, tha se kompani ka një sistem të ndryshëm operimi nga e famshmja "Boris Bike" që është bërë pjesë e pandashme e transportit publik në Londër. Mobike është jo vetëm e pajisur me teknologjinë e fundit, por kushton shumë më lirë se "Boris Bike", 50 pence për gjysmë ore. Për më tepër, për të parandaluar përdoruesit nga keqpërdorimi, një çështje që shqetëson qeveritë qëndrore në qytetet kineze, "Mobike UK" ka krijuar një sistem rishpërndarjeje dhe skemë shpërblimi, ku u jep përdoruesve kredite shtesë për vendosjen e biçikletave në vendndodhje të përshtatshme.

"Biçikletat tona gjurmohen me anë të sistemit GPS. Kjo na lejon të shohim vendndodhjen e tyre në çdo kohë. Ne arrijmë të gjejmë se në cilat zona biçikletat nuk përdoren shpesh dhe do t'i transferojmë ato në zonat me kërkesë të lartë. Ekipet e punës janë gjithnjë jashtë duke punuar për një shërbim sa më cilëlor si dhe për ta lënë qytetin të rregullt. Punonjësit tanë po e bëjnë shumë mirë punën e tyre."

"Mobike" nuk është e vetmja kompani kineze e biçikletave me qira, që po synon mbizotërimin e tregut londinez. Rreth një javë më parë, Ofo nisi në lindje të Londrës në Hackney. Të dyja kompanitë kanë plane tepër ambicioze për të hyrë në tregun global me skemat e tyre të suksesshme. Deri tani "Ofo" po operon në tetë vende jashtë Kinës, në një kohë kur "Mobike" ka nisur aktivitetin në Japoni, Singapor dhe Itali. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore