KON vlerëson gatishmërinë e Los Anxhelesit për Olimpiadën 2028

2017-09-13 18:43:46 CRI Komenti juaj Printoni
Planet e Los Anxhelesit dhe gatishmëria për Lojërat Olimpike dhe Paralimpike të vitit 2028 janë shqyrtuar dhe konfirmuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Vlerësimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC).

Komisioni konfirmoi se "Qyteti i Engjëjve" është i gatshëm për të ofruar një Olimpiadë të re, të qëndrueshme dhe me rrezik të ulët për një Epokë të Re, me përfitim afatgjatë për Los Anxhelesin, por dhe për Lëvizjet Olimpike dhe Paraolimpike.

Raporti ndjek vizitën gjithëpërfshirëse të Komisionit për vlerësimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, të kryer në Los Anxheles në maj të këtij viti.

Kryebashkiaku i Los Anxhelesit, Eric Garcetti tha të hënën se qyteti do të jetë gati për lojërat e vitit 2028.

"Lojërat Olimpike të vitit 1984 ishin përvoja më e bukur e fëmijërisë sime. Ishte koha kur e gjithë bota erdhi në këtë qytet dhe prindërit më morën me vete. Më kujtohet kur pashë Carl Lewis dhe garën e vrapimit 4x100 metra si dhe thyerjen e rekordit botëror, apo ceremoninë e mbylljes. Ishte një shpërthim i vërtetë kulturor. Ka qenë një kujtim i bukur për mua dhe brezin tim. Casey Wasserman dhe unë kishim që të dy pseudonimet "Djemtë e 84-s". Kur u zgjodha kryetar i Bashkisë i drejtova një letër Komitetit Olimpik të SHBA-së, në të cilën kërkoja që Olimpiada të rikthehej te ne", tha kryebashkiaku.

Këshilli i Los Anxhelesit votoi unanimisht më 11 gusht për miratimin e kontratës së nënshkruar nga qeverisja e qytetit dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, për zhvillimin e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike të vitit 2028. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore