Analisti shqiptar: Jo drojë nga investimet kineze në Shqipëri

2017-08-22 21:18:48 CRI Komenti juaj Printoni

Analisti shqiptar Leonidha Mërtiri mendon se forcimi i rolit të Kinës në arenën ndërkombëtare është një fakt që duhet përshëndetur, duke shtuar se Tirana nuk duhet të tregojë ngurrim për sa u përket investimeve kineze, por përkundrazi, duhet t'i inkurajojë ato.

Në një artikull të publikuar të martën në uebsajtin e së përditshmes shqiptare "Panorama", Mërtiri shprehet se marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë e Kinës kanë shtuar bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e ekonomisë e të investimeve. Duke përmendur investimet e rëndësishme kineze në Shqipëri, si marrja me koncesion e aeroportit "Nënë Tereza" apo blerja e "Bankers Petrolium", Mërtiri shkruan se "Kina është i vetmi realitet, një vend që lëviz konkretisht me investimet e saj në Shqipëri."

Duke theksuar se Kina është tashmë një partnere e rëndësishme për të gjitha vendet e botës, përfshirë edhe ato më të fuqishme si ShBA-ja e Gjermania, në artikull thuhet se duhet përshëndetur fakti që Shqipëria po bëhet tërheqëse për investitorët kinezë dhe duhet inkurajuar edhe më tej kjo prirje.

Analisti Mërtiri vlerëson edhe emërimin e z. Selim Belortaja si ambasadori i ri i Shqipërisë në Kinë. Duke e quajtur atë si një ekspert në ekonomi e diplomat me përvojë, artikullshkruesi mendon se një figurë e tillë shton besimin e kompanive kineze për të investuar në Shqipëri dhe hap rrugën për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

(Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore