India: Konfrontimi me Kinën do të zgjidhet shumë shpejt

2017-08-22 21:02:33 CRI Komenti juaj Printoni

Ministri i Brendshëm i Indisë Rajnath Singh u shpreh të hënën se "konfrontimi kino-indian në rajonin Doklam do të zgjidhet brenda një kohe të shkurtër". Lidhur me këtë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Hua Chunying shprehu të martën shpresën që pala indiane do të veprojë sipas fjalëve të saj. Ajo theksoi se baza dhe parakushti i zgjidhjes së problemit është që India të tërheqë pa kushte të gjithë personat dhe pajisjet që kanë kaluar në mënyrë paligjore kufirin shtetëror:

"E kemi dëgjuar thënien e ministrit Singh se India nuk ka sulmuar vendet e tjera dhe nuk ka ambicie zgjerimi të kufijve të saj. Por kemi parë faktin se pala indiane e ka kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror të pranuar nga dy palët dhe të respektuar bashkërisht për afro 130 vjet. Ata vazhdojnë të qëndrojnë atje dhe nuk janë kthyer, me pretekste të ndryshme. Shpresojmë se pala indiane do të veprojë sipas fjalëve të saj dhe do të tërheqë të gjithë personat e pajisjet që kanë kaluar kufirin, duke ndrequr veprimet dhe fjalët e gabuara me veptime konkrete dhe pozitive."

Sipas njoftimeve të mediave indiane, një zyrtar indian u shpreh të hënën se India e ka diskutuar problemin e konfrontimit me Kinën e me Rusinë, duke theksuar qëndrimin e vet që projekti i ndërtimit të rrugës nga Kina ka ndryshuar statuskuonë dhe ka sjellë ndikime serioze mbi sigurinë kombëtare të Indisë. Për këtë arsye, Nju-Delhi ka kërkuar përkrahjen e Moskës.

Hua Chunying u shpreh se rajoni Dolam është pjesë e padiskutueshme territoriale e Kinës, duke shtuar se arsyetimi i palës indiane mbi ndërtimin e rrugës nga Kina është qesharak.

"Përfytyroni që, sipas kësaj logjike qesharake të Indisë, kur nuk na pëlqejnë veprimet e fqinjëve, mund të hyjmë brenda shtëpisë së tyre dhe të mos largohemi. Kjo logjikë mund të shkaktojë kaos në botë dhe të cenojë parimet e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kina po tregon vetëpërmbajtje të madhe. Ne mund të shfaqim sinqeritetin tonë më të madh, por shpresojmë që pala indiane të ketë një qëndrim të përgjegjshëm, të ligjshëm e të arsyeshëm dhe të gjykojë në mënyrë racionale," u shpreh zëdhënësja Hua Chunying. (Xu Guang)

  

Mrekulli
Lajmet Kryesore