Gjenerali Dunford në Kinë, për të forcuar lidhjet ushtarake

2017-08-16 17:46:27 CRI Komenti juaj Printoni

Kreu i shefave të Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së, gjenerali Joseph Dunford ndodhet në Pekin për një vizitë triditore. Ai u takua me homologun e tij kinez, Fang Fenghui.

Gjatë vizitës së tij në Pekin, Dunford do të zhvillojë bisedime me zyrtarë kinezë mbi bashkëpunimin ushtarak Kinë-SHBA, si dhe mbi gjendjen në Gadishullin Korean.

Dunford tha se Uashingtoni dhe Pekini do të diskutojnë për një sërë çështjesh të ndërlikuara.

"Mendoj se duhet të tregohemi të sinqertë, jemi hasur me shumë çështje të vështira, për disa për të cilat nuk kemi pasur të njëjtat pikëpamje. Por nga takimet tona në Uashington dhe nga takimi shumë produktiv të cilin sapo e përfunduam, jam i sigurt që ne ndajmë angazhimin e përbashkët për zgjidhjen e çështjeve të vështira."

Nga ana e tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, Fang Fenghui, tha se vizita e Dunford-it në Kinë do të thellojë bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve.

"Besoj se nga kjo vizitë, do të zbatojmë konsensusin e arritur nga dy presidentët, për t'i mundësuar SHBA-së ta njohë më mirë ushtrinë tonë dhe për nxitjen e bashkëpunimit ushtarak dypalësh".

Në kuadër të takimit, dy palët nënshkruan një dokument për krijimin e një mekanizmi dialogu mes dy ushtrive.

Në ditët në vijim, delegacioni amerikan do të mbikëqyrë stërvitjet ushtarake kineze në qytetin verilindor të Shenyang-ut, si dhe do të zhvillojë bisedime me zyrtarë të nivelit të lartë ushtarakë të Kinës.

Kjo është vizita e parë e Dunford në Kinë si kryetar i shefave të Shtabit të Përgjithshëm. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore