Rusia analizon ndikimin e sanksioneve perëndimore

2017-08-15 18:55:10 CRI Komenti juaj Printoni

Sanksionet perëndimore ndaj Moskës nuk kanë ushtruar "ndonjë ndikim të veçantë negativ" në sektorin industrial të vendit, madje ky sektor është përshtatur pothuajse plotësisht me to, u shpreh ministri rus i Industrisë dhe Tregtisë, Denis Manturov.

"Mund të them se sektori është përshtatur pothuajse plotësisht me sanskionet. Nëse bëjmë një rishikim, shohim qartë që sanksionet nuk kanë pasur ndonjë ndikim të veçantë negativ," tha të hënën Manturov gjatë një interviste nga agjencia ruse e lajmeve "RIA Novosti", duke shtuar se sanksionet e vendosura i lejuan autoritetet vendëse t'u përgjigjen sfidave të tanishme në mënyrë më efikase.

Ai shtoi se nuk ka ndryshuar parashikimi për rritjen prej 2 për qind të prodhimit industrial në vitin 2017 dhe në "gjashtëmujorin e parë të vitit, patëm rritjen 2 për qind."

Dinamikat më pozitive u regjistruan në industrinë farmaceutike dhe kimike, prodhimin e automjeteve, prodhimin e pajisjeve elektrike dhe në mallrat e konsumit.

"Kemi shumë besim se edhe në gjysmën e dytë të vitit do të mbeten këto prirje pozitive," tha ministri.

Në korrik, Ministria ruse e Zhvillimit Ekonomik njoftoi se rritja e ekonomisë vendëse u përshpejtua në tremujorin e dytë dhe pritet të arrijë në mbi 2 për qind gjithë vitin.

Në korrik, SHBA-ja miratoi me shumicë votash një ligj për forcimin e e sanksioneve ndaj Rusisë. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore