Kina;Të përpiqemi të gjithë për çështjen koreane

2017-08-15 18:54:36 CRI Komenti juaj Printoni

Palët duhet të ruajnë gjakftohtësinë dhe të ndërmarrin veprime që janë në të mirë të zbutjes së tensionit dhe zgjidhjes së problemit bërthamor në Gadishullin Korean, u shpreh të martën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Hua Chunying.

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson dhe ai i Mbrojtjes James Mattis publikuan një artikull të përbashkët në gazetën "Wall Street Journal", duke theksuar se përgjigja diplomatike është opsioni i parë i SHBA-së për ta nxitur Korenë e Veriut të ndryshojë kursin e tanishëm dhe se synimi i Uashingtonit ndaj Penianit është denuklearizimi i Gadishullit.

"SHBA-ja nuk synon të ndryshojë pushtetin në Korenë e Veriut apo të shpejtojë procesin e bashkimit të dy Koreve. SHBA-ja nuk ka dëshirë as të gjejë arsye për dislokimin e trupave në veri të zonave jo ushtarake dhe as të dëmtojë popullin koreanoverior," shkruhet në artikull.

Ndërkohë, presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, u shpreh se askush nuk mund të nisë veprime ushtarake në Gadishull pa miratimin e Koresë së Jugut, duke nxitur sërish Veriun për dialog.

Hua Chunying vuri në dukje se Kina ka parë deklaratat pozitive të Tillerson dhe Mattis dhe shpreson se SHBA-ja do të zbatojë deklaratat nëpërmjet politikave konkrete ndaj Koresë së Veriut. Kina ndërkohë i bën thirrje Koresë së Veriut të reflektojë.

"Kina është gjithnjë e mendimit se thelbi i problemit bërthamor korean është siguria. Koreja e Veriut dhe SHBA-ja kanë çelësin për zgjidhjen e problemit. Shpresojmë që palët do ta marrin me seriozitet propozimin e Kinës 'dy ndalime', t'u përmbahen angazhimeve ndaj Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët për zgjidhjen paqësore të problemit. Kina do të vazhdojë të zbatojë me rigorozitet rezolutat e Këshillit të Sigurimit si dhe do të vijojë të luajë rol aktiv dhe konstruktiv për nxitjen e zgjidhjes diplomatike dhe paqësore të problemit bërthamor," tha Hua në një konferencë shtypi në Pekin.

Hua vuri në dukje se tani gjendja e Gadishullit Korean ndodhet në një pikë kyçe para krizës, si dhe një pikë kthimi për rifillimin e bisedimeve. Përmirësimi i marrëdhënieve mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut nëpërmjet dialogut dhe shtimi i bashkëpunimit përputhet me interesat thelbësore të të dyja palëve. Kina shpreson se dy vendet do të përpiqen së bashku drejt një gjendjeje pozitive, për të krijuar kushte të përshtatshme për rifillimin e dialogut dhe të konsultimeve.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore