Kinë, targa të veçanta për automjetet me energji të re

2017-08-14 09:22:04 CRI Komenti juaj Printoni

Ministria e Sigurisë Publike e Kinës ka njoftuar miratimin e targave të posaçme për automjetet me energji të re në mbarë vendin.

Ndryshe nga targat e zakonshme blu, targat e veçanta për automjetet me energji të re janë të gjelbra dhe kanë një simbol që shënon energjinë e re, si dhe një shifër shtesë.

Secila prej targave të reja ka gjithashtu një kod QR, një shenjë kundër falsifikimit dhe një model rrezesh lazer.

Sun Zhengliang nga Instituti i Studimeve të Menaxhimit të Trafikut pranë Ministrisë së Sigurisë Publike, thotë se teknologjia e re ka për qëllim të pengojë falsifikimin.

"Në këtë mënyrë mund të gjejmë burimin, të kontrollojmë se kush e ka blerë targën, kur është prodhuar dhe kujt i takon. Kjo do të na ndihmojë të zbulojmë targat e falsifikuara e të parregullta dhe të zgjidhim një sërë problemesh të tjera," thekson Sun.

Për sa i përket regjistrimit, pronarët e automjeteve me energji të re mund të aplikojnë nëpërmjet uebsajteve të regjistrimit të automjeteve ose një aplikacioni në smartfon.

Wang Qiang, zëvendësdrejtor i Zyrës së Menaxhimit të Trafikut në Ministrinë e Sigurisë Publike, thotë se pronarët e automjeteve me energji të re mund të zgjedhin t'i zëvendësojnë ose t'i mbajnë targat e tyre të tanishme:

"Është një zgjedhje vullnetare. Mund ta ndryshosh targën ose jo. Mund të aplikosh për targën në uebsajtet e regjistrimit të automjeteve ose në platformën tonë në internet, ku ofrojmë shërbimin e porositjes në dyqanet në internet. Mund të zgjedhësh kohën dhe vendndodhjen, por për automjetet me energji të re nga vende të tjera, japim automatikisht targa të veçanta."

Autoritetet e qarkullimit rrugor po krijojnë gjithashtu një sistem informacioni për automjetet me energji të re, të cilave vazhdon t'u ofrohet një trajtim preferencial në Kinë. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore