Arrin në 20 numri i viktimave të tërmetit në Sichuan

2017-08-11 09:42:31 CRI Komenti juaj Printoni

 

Autoritetet e provincës Sichuan deklaruan se numri i të vdekurve nga tërmeti i së martës ka arritur në 20, ndërsa i të plagosurve në mbi 400. Mësohet se dhjetra të plagosurve nga tërmeti në Rajonin Autonom të Xinjiangut, po u jepet ndihmë mjekësore.

Pas tërmetit 7 ballësh, që goditi të martën në mbrëmje destinacionin e njohur turistik Jiu zhai gou të provincës Sichuan, më shumë se 70 mijë vetë u evakuuan, njofton Ministria e Sigurisë Publike e Kinës.

Zëvendëskomandanti i Shtabit të Emergjencave Natyrore, Qumu Shiha tha se ekipet e kërkim-shpëtimit kanë punuar me efikasitet për evakuuimin e turistëve nga zona e prekur nga tërmeti.

"Pas zhvendosjes së Shtabit të Emergjencës në fshatin Zhangzha, puna e parë ishte evakuuimi i turistëve, duke siguruar që ata të kalonin tronditjen dhe të ishin të qetë. Mobilizuam aeroportet dhe mjete të tjera, private dhe shtetërore për evakuuimin e njerëzve. Gjithashtu nxitëm zyrtarët e të gjitha niveleve dhe vullnetarët për të marrë pjesë në operacionet e shpëtimit dhe për ti kryer ato sa më mirë", tha zëvendëskomandanti Qumu.

Ndërkohë autoritetet vendore po bëjnë përpjekje për riparimin e rrugëve të dëmtuara, për furnizimin me energji elektrike dhe të telekomit. Mësohet se të enjten në destinacionin turistik Jiu Zhai Gou janë regjistruar sërish 4 goditje tërmeti me magnitudë 4 ballë, duke shkaktuar rrëshqitje të dheut në rajonin malor. Në terren po përdoren dronët dhe radarët për rritjen e nivelit të sigurisë.

Në Xinjiang, të 32 të plagosurit kanë marrë trajtim mjekësor në spital, pas tërmetit me magnitudë 6.6 ballë që goditi kontenë Jinghe, të mërkurën në mëngjes. Gjendja e të plagosurve është e qëndrueshme, ndërsa burime vendore thonë se për shkak të tërmetit u shkatërruan mbi 140 shtëpi dhe në Xinjiang janë dëmtuar më shumë se 1 mijë banesa. Ministria e Financave ka njoftuar se qeveria qendrore do të ofrojë një fond prej 180 milionë juanësh për lehtësimin e gjendjes, pas tërmeteve në Sichuan dhe Xinjiang.(Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore