Këshilltari ekonomik kinez: Bashkëpunim i frytshëm ekonomiko-tregtar Kinë-Shqipëri

2017-08-10 11:24:18 CRI Komenti juaj Printoni
Vitet e fundit, me nxitjen e qëndrueshme të nismës "Një brez, një rrugë" dhe të mekanizmit të bashkëpunimit "16+1" midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore, Shqipëria, si një vend portual përgjatë Rrugës Detare të Mëndafshit në zonën e Mesdheut, është bërë një ndër destinacionet e parapëlqyera të investimeve kineze. Nga ndërtimi infrastrukturor e shfrytëzimi i mineraleve deri në telekomunikacionin dhe sektorin e shërbimeve, bashkëpunimi ekonomik kino-shqiptar ka hyrë në një fazë të re mjaft frytdhënëse. Lidhur me këtë, këshilltari ekonomik e tregtar i ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, z. Lian Gang, u shpreh në një intervistë dhënë Radios së Jashtme të Kinës (CRI Shqip) se investimet kineze në Shqipëri janë kryer sipas parimeve të zbatimit të nismës "Një brez, një rrugë", që janë: gjithëpërfshirja, leverdia e ndërsjellë, konsultimet e barabarta dhe respektimi i rregullave të tregut për zhvillim të balancuar dhe të vazhdueshëm. Investimet dhe menaxhimi i tyre përbëjnë një shembull të bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, sepse kanë përmirësuar përdorimin e burimeve dypalëshe, kanë realizuar përplotësimin e ndërsjellë në bazë të shfrytëzimit të epërsive të njëri-tjetrit, kanë nxitur zhvillimin ekonomik, kanë rritur punësimin dhe nivelin profesional të Shqipëri.

Sipas z. Lian, pavarësisht largësisë gjeografike dhe diferencës së madhe për sa i përket vëllimit të ekonomive të tyre, bashkëpunimi ekonomik mes Kinës dhe Shqipërisë ka mundësi të mëdha, sepse të dyja vendet janë në gjendje të plotësojnë kërkesat e njëra-tjetrës me epërsitë që kanë, përveç miqësisë së thellë tradicionale dhe besimit të fortë politik. Tani, kompanitë kineze në Shqipëri e ushtrojnë aktivitetin e tyre kryesisht në fusha si nafta, infrastruktura, industria minerare, energjetika, telekomunikacioni dhe sektori i shërbimeve.

Diplomati kinez në Tiranë vuri në dukje se, për Shqipërinë, investimet nga Kina kanë domethënie të madhe në të paktën katër aspekte. Së pari, ato tregojnë besimin e kompanive kineze te tregu dhe zhvillimi i ardhshëm i Shqipërisë. Së dyti, projektet e mëdha, si blerja e kompanisë së naftës "Bankers" dhe e aksioneve të aeroportit "Nënë Tereza", mund të tërheqin vëmendjen e firmave të tjera, duke nxitur edhe zhvillimin e sektorëve të tjerë në të njëjtin zinxhir industrial. Së treti, bashkëpunimi ka maksimizuar përdorimin e burimeve shumëpalëshe. Për shembull, projekti i aeroportit "Nënë Tereza" ka ndërthurur burimet e palës kineze për sa i përket kapitalit, klientelës (udhëtarë dhe mallra) dhe zgjerimit të biznesit; të palës shqiptare në fushën e shërbimeve dhe të palës gjermane në menaxhim. Si rezultat, numri i udhëtarëve në tremujorin e parë të këtij viti në këtë aeroport u rrit 10 %. Së katërti, kompanitë kineze, përveç biznesit, kanë mbajtur si duhet edhe përgjegjësinë e tyre shoqërore, duke dhënë ndihmesë në shtimin e taksave, rritjen e punësimit dhe trajnimin profesional. Për shembull, në projektin e "Bankers"-it janë punësuar gati 2000 punëtorë vendorë, të cilët në punë kanë zotëruar njohuri dhe përvojë profesionale, duke shtuar edhe të ardhurat. Ndërsa në "Huawei", pjesa dërrmuese e stafit janë shqiptarë, që jo vetëm kanë rritur nivelin e tyre profesional, por edhe kanë sjellë nxitjen e shkëmbimeve njerëzore ndërmjet dy vendeve.

Përsa i përket potencialit të bashkëpunimit në të ardhmen në fushën e investimeve, z. Lian Gang u shpreh se, përveç naftës, minierave, infrastrukturës, hidrocentraleve etj., Shqipëria ka mjaft hapësira zhvillimi në sektorë si industria e përpunimit, turizmi etj.

Sipas tij, me pozitën e favorshme gjeografike, produktet shqiptare mund të futen në tregun e Bashkimit Europian me leverdi të dukshme transporti dhe tarifa të ulëta doganore. Firmat kineze mund të zgjedhin projekte përpunimi sipas kushteve të veta për sa u përket kapitaleve e teknologjisë, ose të zhvillojnë bashkëpunim shumëpalësh, si p. sh. me partnerë italianë a gjermanë etj., për të shfrytëzuar bashkërisht mundësitë e zgjerimit të biznesit në këtë drejtim.

Lidhur me sektorin turistik, z. Lian u shpreh se Shqipëria ka kushte shumë të mira natyrore dhe burime të pasura kulturore për zhvillimin e turizmit. Përveç kësaj, marrëdhëniet kino-shqiptare arritën kulmin në vitet '60 - '70 të shekullit të kaluar, kur Shqipëria la përshtypje të paharrueshme te një brez i tërë kinezësh. "Filmat shqiptarë i kanë shoqëruar ata gjatë rinisë dhe tani shumica e tyre kanë dalë ose do të dalin së shpejti në pension. Besoj se, po të ketë mundësi, ata do të duan ta vizitojnë Shqipërinë e sotme për ta njohur nga afër me sytë e tyre", shtoi këshilltari ekonomik e tregtar kinez në Tiranë Lian Gang.

Investimet kineze në Shqipëri u shtuan nga 87 milionë dollarë amerikanë në vitin 2015 në 760 milionë dollarë amerikanë vitin e kaluar. Krahas zbatimit të nismës "Një brez, një rrugë" dhe mekanizmit të bashkëpunimit "16+1", me thellimin e vazhdueshëm të shkëmbimeve dypalëshe në fusha të ndryshme, pritet që bashkëpunimi ekonomiko-tregtar Kinë-Shqipëri, i bazuar mbi konsultimet e barabarta me leverdi të ndërsjellë, të përparojë në mënyrë të qëndrueshme.

Mrekulli