Genc Çeli: Investimet kineze mbështetin zhvillimin ekonomik të Shqipërisë

2017-08-08 16:38:36 CRI Komenti juaj Printoni

Nën drejtimin e nismës "Një brez, një rrugë" dhe të mekanizmit të bashkëpunimit "16+1", vitet e fundit bashkëpunimi midis Kinës dhe Shqipërisë në fusha të ndryshme po forcohet pandërprerë, sidomos ai në fushën ekonomiko- tregtare po zhvillohet me ritme të shpejta. Deri në fund të vitit 2016, tregtia midis Kinës dhe Shqipërisë ka pasur një rritje të vazhdueshme dhe Kina është bërë partnerja e dytë më e madhe tregtare e Shqipërisë. Vetëm në mars të vitit 2017, përqindja e eksporteve të Shqipërisë në Kinë pati një rritje vjetore nga 6.3% deri në 7.7 %, duke kaluar Greqinë, Turqinë dhe vende të tjera ballkanike. Njëkohësisht Kina është bërë edhe një nga vendet më të rëndësishme të investimeve të huaja në Shqipëri. Në një intervistë për "CRI Shqip", drejtori i Drejtorisë së Investimeve dhe Shërbimeve në Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) Genc Çeli tha se investimet kineze kanë luajtur rol në nxitjen e punësimit, shtimin e mbledhjes së taksave etj., duke ngritur edhe aftësitë profesionale të punonjësve vendorë, duke mbështetur kështu zhvillimin ekonomik e shoqëror të Shqipërisë.

Lidhur me profilin e kompanive kineze që kanë investuar në Shqipëri, Genc Çeli tha se, deri në janarin e vitit 2017, janë të regjistruara 148 kompani kineze në Shqipëri, nga të cilat 103 janë aktive. "Kryesisht kompanitë kineze veprojnë në sektorin e tregtisë dhe më pas kemi ato që veprojnë në fushën e pasurive të patundshme, industrinë përpunuese dhe telekomunikacionin," bëri të ditur Çeli. "Kompanitë me kapital kinez janë të përqendruara në qarkun e Tiranës dhe të Durrësit, pasi këtu është përqendruar veprimtaria kryesore e të gjitha bizneseve të Shqipërisë, por gjithashtu në Elbasan dhe në Berat. Duhet të nënvizoj praninë e dy kompanive të fuqishme kineze të regjistruara vitet e fundit, siç janë 'China Everbright' dhe 'Geojade', që operon në fushën e naftës, aty ku më parë vepronte 'Bankers Petrolium'."

Z. Çeli vëren se, përveç investimeve, këto kompani kanë ndikuar në punësimin dhe trajnimin e punonjësve shqiptarë: "Është e natyrshme që çdo investitor të rritë punësimin. Unë nuk kam shifra të saktë të punësimit, por është e natyrshme që punësimi është rritur dhe gjëja më e mirë është rritja e kualifikimit dhe aftësimit profesional. Po të shikojmë prirjen e tregut, vërehet se kompanitë kineze nuk janë këtu vetëm sepse importojnë mallra, por janë rritur së tepërmi importet e makinerive dhe pajisjeve. Përveç punësimit, janë rritur dhe njohuritë teknike të punonjësve."

Si drejtor në AIDA, Genc Çeli ka shumë besim tek epërsitë e Shqipërisë në tërheqjen e investimeve të Kinës. Nga ana tjetër ai theksoi se Shqipëria është një treg i vogël për Kinën, por kjo s'do të thotë që kompanitë kineze mund të investojnë vetëm në Shqipëri. Ai tha: "Globalizimi tani është i përhapur dhe ky është termi kryesor. Një ide është që të importohet në Shqipëri dhe të eksportohet në vendet e tjera. Gjatë një takimi që ka pasur me ambasadoren e Kinës në Shqipëri, ajo shprehu interesin e kompanive kineze për të investuar në fusha si infrastruktura, siç janë rrugët, hekurudhat, energjetika, pra investime të mëdha, por po ashtu dhe në industrinë përpunuese. Industritë përpunuese nuk do të thotë që të prodhojnë dhe shesin në Shqipëri që është një treg i vogël, por ideja është që të prodhohet këtu dhe të eksportohet në tregjet e Europës. Malli ka një kosto më të lirë, tregjet janë më afër dhe Shqipëria është e pozicionuar mirë gjeografikisht dhe ka faktorë të tjerë lehtësues, siç janë marrëveshjet e tregtisë së lirë midis Shqipërisë dhe vendeve të Europës e Ballkanit. Kjo vlen për prodhimet industriale, por edhe për prodhimet bujqësore. Në lidhje me këto të fundit, bëhet fjalë për fruta, perime dhe erëza të cilat janë mjaft të kërkuara në tregun europian, por që tani ato transportohen direkt nga Kina. Do të ishte shumë më mirë sikur ato të mbylleshin në Shqipëri, sepse klima është e favorshme, sigurisht me farëra kineze dhe më pas të eksportoheshin në tregun e Europës, pasi ai është afër dhe ato do të ishin më të freskëta kur të arrinin në treg. Këto ishin dhe dy idetë e paraqitura nga ambasadorja e Kinës dhe të dyja palët janë duke punuar në këtë drejtim."

Genc Çeli e vlerëson kontributi e ndërmarrjeve kineze për zhvillimin e ekonomisë shqiptare: "Sigurisht, përveç kontributit që kanë në fushën e tregtisë, kontributi më i madh që duhet të përmend aktualisht është kontributi i dy kompanive të reja ("China Everbright" dhe "Geojade"), pasi aeroporti dhe kompania e naftës janë investime shumë të rëndësishme. Ato kontribuojnë në punësim dhe në rritjen e të ardhurave. E rëndësishme është të mendojmë se çdo të bëjmë më vonë."

Z. Çeli bëri të ditur se pala shqiptare ka bërë shumë punë për pritjen e investimeve të huaja, duke përfshirë ato nga Kina. Ai tha se tani Shqipëria ka një kuadër ligjor të mirë, duke përfshirë ligjin e miratuar vjet për investimet strategjike, i cili ka përcaktuar prioritetet e qeverisë në disa sektorë strategjikë dhe që sipas tij është me interes edhe për kompanitë kineze. AIDA ka kontaktuar me disa grupe të fuqishme dhe është në bisedime me ta për mundësi investimesh në Shqipëri. Duke folur lidhur me panairet tregtare në Ningbo të Kinës Jugore, Çeli tha: "Është një nga panairet më të rëndësishme për produktet bujqësore. Vjet ka pasur 18 kompani që kanë prezantuar produktet e tyre dhe AIDA i ka ndihmuar qoftë me organizimin, qoftë duke ndarë një pjesë të kostove për t'i ndihmuar që të jenë prezentë në panair. Ka një interes shumë të madh të kompanive shqiptare për të eksportuar, pasi Kina ka një treg shumë të madh, por pavarësisht kësaj, prodhuesit shqiptarë kanë interes shumë të madh, për shkak të vlerës së shtuar që merr produkti."

Për të ardhmen, drejtori i investimeve në AIDA dha propozimet e tij për eksportin e mallrave shqiptare në Kinë. Ai tha se ka vënë re se Shqipëria nuk eksporton dot në Kinë produkte me origjinë shtazore, sepse duhet një leje e posaçme nga autoritetet, megjithatë shprehu shpresën se të dy vendet do të arrijnë që ta zgjidhin këtë problem, në mënyrë që edhe këta eksportues të kenë mundësi për të prezantuar produktet e tyre. Genc Çeli u shpreh se beson që do të ishte një gjë shumë e mirë edhe nëse të dy shtetet do të arrinin një marrëveshje për uljen e taksave doganore në Kinë, ose ndonjë veprim i njëanshëm nga ana e Kinës për të nxitur eksportet shqiptare.

Mrekulli
Lajmet Kryesore