Çollaku: Shqipëria, në pritje të turistëve kinezë

2017-08-04 18:21:07 CRI Komenti juaj Printoni

 

Vitet e fundit, nën udhëheqjen e nismës "Një brez, një rrugë" dhe të mekanizmit "16+1", bashkëpunimi në fusha të ndryshme midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore është forcuar pandërprerë. Vendet e Evropës Qendrore e Lindore, duke përfshirë edhe Shqipërinë, po bëhen destinacione të turistëve kinezë. Kohët e fundit, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë Ardit Çollaku u tha gazetarëve të "CRI Shqip" se Shqipëria po merr masa për të tërhequr më shumë turistë kinezë, duke thelluar bashkëpunim turistik mes dy vendeve.

 

Duke folur në fillim të intervistës së tij për "CRI Shqip" lidhur me burimet turistike të Shqipërisë dhe punën e bërë për promovimin e tyre, drejtori Çollaku tha: "Shqipëria turistike dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit që unë drejtoj, janë duke synuar të hapin tregje të reja dhe tregu aziatik apo Kina është një prej tyre. Ne tashmë kemi filluar një bashkëpunim dypalësh shumë të frytshëm. Jemi duke prezantuar Shqipërinë historike, kulturore, traditat e shumta, sa u përket sajteve të UNESCO-s që Shqipëria ofron dhe sajteve arkeologjike që ndodhen në Shqipëri, duke e konsideruar vendin tonë si një vend me përparësi shumë të madhe në promovimin e turizmit të kulturës. Por jo vetëm këtë, pasi Shqipëria ofron një mundësi shumë të madhe për vizitorët e shumtë, sepse përmban rreth 30 % të biodiversitetit të gjithë Evropës. Është një vend i mbushur me parqe natyrore, me shpendë të ndryshëm, me bimësi shumë të larmishme, dhe ju e dini që në Shqipëri, në një distancë shumë të vogël, ju mund të arrini nga mali në det dhe ndërkohë të praktikoni edhe sporte të ndryshme."

Vitet e fundit, Kina dhe Shqipëria kanë shprehur vullnetin për të forcuar bashkëpunimin në fushën e turizmit. Lidhur me masat e të dyja palëve për të nxitur edhe më tej këtë bashkëpunim, Çollaku theksoi: "Ne kemi qenë të pranishëm vitin e kaluar me një stendë në Panairin e Ningbo-së në Kinë, ku Agjencia Kombëtare e Turizmit filloi të prezantojë materialet e saj reklamuese të vendeve e zonave turistike të Shqipërisë. Ky ka qenë bashkëpunimi i parë i bërë nëpërmjet organizatorëve të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore plus Kinën, ku Kina është duke luajtur një rol jashtëzakonisht frytdhënës për sa i përket bashkëpunimit dypalësh. Përveç kësaj, unë pata fatin që të isha vetë prezent dhe të prezantoja Shqipërinë turistike përpara gjithë operatorëve turistikë dhe përfaqësuesve të agjencive turistike që ishin prezent në një sallë shumë të madhe, së bashku edhe me vendet e tjera të rajonit."

Çollaku vuri në dukje se miqësia tradicionale mes dy vendeve mund të shërbejë edhe si katalizator për nxitjen e shkëmbimeve e të bashkëpunimit në fusha të tilla si biznesi e turizmi: "Duke qenë se Shqipëria dhe Kina kanë pasur një bashkëpunim dhe një miqësi që prej kohëve të mëparshme, atëherë edhe ne duam që këtë miqësi ta shfrytëzojmë dhe ta rritim e ta zhvillojmë më tej, duke tërhequr edhe vizitorët e shumtë kinezë që mund të vijnë në tregun shqiptar. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me shqiptarët që kanë filluar partneritetet me bizneset ose firmat e ndryshme kineze."

Agjencia Kombëtare e Turizmit të Shqipërisë i kushton rëndësi të madhe tregut të madh të turizmit kinez, duke bërë edhe përgatitje të posaçme për të mirëpritur vizitorët kinezë në Shqipëri. Kreu i kësaj agjencie thotë: "Kina ka një numër shumë të madh turistësh. Është shumë e vërtetë që ne jemi duke bashkëpunuar në këtë aspekt, pasi shumë prej guidave tona shqiptare janë duke u certifikuar edhe në gjuhën kineze. Ky është një lajm shumë i mirë, pasi ka ndikuar arsimimi që disa prej tyre kanë bërë në vende të ndryshme të Kinës, dhe duke u kthyer në Shqipëri, ata kanë filluar të marrin njohurinë përkatëse për t'u bërë udhërrëfyes apo guidë në gjuhën kineze."

Z. Çollaku shprehet gjithashtu se Shqipëria po shqyrton mundësinë e kthimit në një qendër rajonale për tërheqjen e turistëve kinezë: "Duke qenë se Kina është edhe një ndër partneret më të mëdha tregtare që ka Shqipëria, ne jemi duke konsideruar ofrimin e vendit tonë si një hap rajonal për sa i përket zhvillimit të turizmit. Dhe pikërisht për këtë ne do të mundohemi që, duke filluar nga viti i ardhshëm, të marrim pjesë intensivisht në panairet, aktivitetet apo eventet që do të zhvillohen në rajone të ndryshme të Kinës për të promovuar dhe për të qenë të pranishëm me promovimin e turizmit shqiptar.

 

Ne kemi pasur grupe të shumta që kanë vizituar Shqipërinë. Është e vërtetë që nuk janë akoma në atë numër që ne do të dëshironim të ishin, sepse e dimë që vizitorët kinezë nuk janë të interesuar vetëm për një rajon. Kur vijnë në Evropë apo në Ballkan ata duan të shohin disa qytete apo disa shtete, dhe rasti konkret i Shqipërisë është që nëpërmjet Shqipërisë ata mund të vizitojnë shumë lehtë edhe Maqedoninë, edhe Kosovën, edhe Malin e Zi, deri në Serbi apo vende të tjera të rajonit dhe kjo do ta bënte edhe më interesante vizitën e tyre në vendet e Ballkanit. Duke qenë se Shqipëria ofron një larmi të madhe të aspektit kulturor, natyror, apo edhe historik, e bën Shqipërinë që të jetë qendra apo vëmendja kryesore e gjithë këtij turi për vizitorët e shumtë që duan të vijnë të shohin rajonin. Ne këtë ne po përgatitemi që të jemi prezentë dhe të gatshëm që të mirëpresim vizitorët nga Kina."

Në fund të intervistës, drejtori Çollaku shprehu mirëpritjen dhe ftesën e tij për turistët kinezë: "Unë do të theksoja edhe një gjë tjetër shumë interesante, që si Agjenci Kombëtare e Turizmit, ne, duke filluar nga ky vit, jemi duke përgatitur edhe materialet përkatëse në gjuhën kineze, në mënyrë që atij turisti t'i jemi prezent apo ta mirëpresim në mënyrën më të mirë të mundshme, për ta bërë të ndihet si në shtëpi. Dhe unë u them të gjithë vizitorëve kinezë që duan të vizitojnë Shqipërinë që në Shqipëri nuk do të vini si turistë, por do të vini si mysafirë, prandaj jeni të mirëpritur."

Mrekulli
Lajmet Kryesore