Rusia: Do t'u kundërpërgjigjemi sanksioneve të reja të ShBA-së

2017-07-27 09:45:30 CRI Komenti juaj Printoni

Moska ka thënë se do t'u kundërpërgjigjet sanksioneve të reja nga Shtetet e Bashkuara nëse ato hyjnë në fuqi.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se vendimi i ligjvënësve të ShBA-së ishte një "lajm shumë i trishtuar":

"Tani për tani mund të themi se ky është një lajm shumë i trishtuar lidhur me marrëdhëniet Rusi-ShBA dhe zhvillimin e tyre të mëtejshëm. Lajmi nuk është më pak shkurajues edhe nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare dhe e marrëdhënieve tregtare ndërkombëtare".

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit të ShBA-së miratoi të martën me shumicë dërrmuese një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë për ndërhyrjen e dyshuar në zgjedhjet e vjetshme presidenciale, e cila i ndalon Trump-it të heqë sanksionet pa miratimin e Kongresit.

Zyrtarë të lartë rusë thanë të mërkurën se Moska po shqyrton mundësinë e marrjes së masave si reagim ndaj sanksioneve të reja, por Peskovi u shpreh se ishte tepër herët për të folur për këtë.

Projektligji i ri i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve ka në shënjestër sektorët rusë të mbrojtjes, zbulimit, minierave, transportit, energjisë e hekurudhave, dhe kufizon marrëdhëniet me bankat ruse.

Ai duhet të miratohet nga Senati amerikan përpara se të kthehet në ligj ose të marrë veton nga presidenti Trump.

Mrekulli
Lajmet Kryesore