Kina, propozim prej katër pikash për zgjidhjen e problemit palestinez

2017-07-26 10:16:55 CRI Komenti juaj Printoni

Këshilli i Sigurimit i OKB-së zhvilloi të martën një mbledhje lidhur me problemin e Palestinës. Mbledhja u drejtua nga kryetari i radhës i Këshillit të Sigurimit, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB Liu Jieyi, dhe në të morën pjesë përfaqësues nga rreth 50 vende e organizata, duke përfshirë Palestinën e Izraelin.

Liu Jieyi paraqiti në këtë mbledhje një propozim prej katër pikash të presidentit kinez Xi Jinping për zgjidhjen e problemit të Palestinës, duke u bërë thirrje palëve të ndryshme për përkrahjen e këtij propozimi.

Pika e parë e propozimit është nxitja e zgjidhjes politike të problemit palestinez në bazë të projektit të krijimit të dy shteteve. Kina e përkrah me vendosmëri krijimin e një shteti palestinez të pavarur e plotësisht sovran, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet dhe me kufijtë e vitit 1967, dhe do të vijojë të luajë një rol konstruktiv për zgjidhjen e problemit.

Së dyti, këmbëngulja në konceptin e sigurisë të përbashkët, të gjithanshme, të vazhdueshme dhe në bashkëpunim. Kina kërkon të zbatohet Rezoluta Nr. 2334 e Këshillit të Sigurimit, të ndalojë menjëherë ndërtimi i vendbanimeve në territoret e pushtuara dhe të merren masa për të parandaluar dhunën ndaj civilëve. Pekini kërkon të rifillojnë sa më parë bisedimet e paqes, duke shpejtuar procesin e zgjidhjes politike, për të realizuar sigurinë e përhershme.

Së treti, forcimi i mëtejshëm i bashkërendimit e i bashkëpunimit nga komuniteti ndërkombëtar. Komuniteti ndërkombëtar duhet të shtojë bashkëpunimin dhe të marrë sa më parë masa për nxitjen e paqes. Kina është e gatshme të marrë pjesë në të gjitha përpjekjet për zgjidhjen politike të problemit palestinez e planifikon të zhvillojë brenda këtij viti një seminar me veprimtarë të paqes nga Palestina e Izraeli, për dhënien e mendimeve për zgjidhjen e problemit.

Së katërti, nxitja e paqes nëpërmjet zhvillimit. Në procesin e nxitjes së bisedimeve politike, duhet t'i kushtohet rëndësi problemit të zhvillimit, duke nxitur bashkëpunimin palestinezo-izraelit. Kina i konsideron Palestinën e Izraelin si dy partnerë të rëndësishëm në nismën "Një brez, një rrugë" dhe dëshiron të zhvillojë me ta bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë, duke përkrahur zhvillimin e shpejtë të të dy palëve. Kina propozon të nisë sistemi i dialogut trepalësh Kinë-Palestinë-Izrael, për të nxitur bashkërisht projektet kryesore në ndihmë të Palestinës. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore