Shqipëria i propozon Francës masa për të ulur kërkesat për azil

2017-07-21 19:25:12 CRI Komenti juaj Printoni

Shqipëria i ka propozuar Francës zbatimin e përbashkët të një plan veprimi për të reduktuar kërkesat për azil të qytetarëve shqiptarë, brenda një periudhe tremujore.

Nisma është prezantuar gjatë takimit të ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati me ministrin e Punëve të Brendshme të Francës, Gérard Collomb.

Tema kryesore e takimit midis dy ministrave ishte gjendja e krijuar nga rritja e kërkesave për azil në Francë, përfshirë edhe nga fëmijë të mitur të pashoqëruar.

Një prej masave të propozuara nga qeveria shqiptare është dislokimi i oficerëve të policisë franceze në Shqipëri për të kryer operacione të përbashkëta me policinë kufitare shqiptare.

"Jemi të ndërgjegjshëm për liritë dhe detyrat që ofron lëvizja e lirë në hapësirën Schengen dhe shumë të vendosur për të mos toleruar kërkesat abuzive për azil," tha ministri Bushati në përfundim të takimit.

Ministri Collomb theksoi se Franca është e gatshme të ofrojë mbështetjen e saj në këtë drejtim.

"Shqipëria është një vend i sigurt dhe dua të përshëndes planin ambicioz të veprimit si dhe vullnetin e qeverisë shqiptare," theksoi Collomb.

Ministri Bushati informoi gjithashtu ministrin Collomb mbi ecurinë e reformave kyçe për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, duke u ndalur tek zbatimi i procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ndikimi që reforma në drejtësi do të ketë në fushën e sigurisë.

Gjithashtu, në kuadër të Partneritetit Strategjik të nënshkruar këtë vit midis dy vendeve, Shqipëria dhe Franca do të forcojnë bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore