Udhëheqësit e biznesit Kinë-SHBA diskutojnë të ardhmen në Uashington

2017-07-19 18:21:02 CRI Komenti juaj Printoni

 

Udhëheqësit e biznesit nga Kina dhe SHBA-ja janë mbledhur në Uashington për të diskutuar mbi zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen mes dy ekonomive më të fuqishme botërore.

Në samitin e Udhëheqësve të Biznesit Kinë-SHBA marrin pjesë rreth 20 drejtues të shquar ekzekutivë të bizneseve nga dy vendet.

Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross, tha se tregtia dhe investimet mes Kinës dhe SHBA-së është një nga marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe në botë.

Ai theksoi se kjo marrëdhënie ka shënuar një përparim të vazhdueshëm qysh nga takimi mes dy krerëve të shtetit në muajin prill.

"Presidentët tanë kanë krijuar një marrëdhënie të fortë që nga takimi në Mar-A-lago. Ata përgatitën agjendën e çështjeve ekonomike dhe tregtare nëpërmjet Dialogut Ekonomik Gjithëpërfshirës. Normalisht, diskutimet tregtare zgjasin për muaj e vite, por ne së bashku kemi arritur përparim konkret në vetëm 40 ditë."

Vetë samiti ishte një nga propozimet e kreut të Alibaba-s, Jack Ma.

Në fjalimin e tij, Jack Ma i bëri thirrje drejtuesve ekzekutivë nga Kina dhe SHBA-ja që t'i "shohin me më shumë vizion" marrëdhëniet dypalëshe dhe të "kapin shancet e së ardhmes."

"Sot kemi rastin të përcaktojnë dhe vendosim një vizion për marrëdhëniet dypalëshe. Sigurisht që sot do të diskutojmë prioritetet dhe rezultatet e kompanive tona individuale, por gjithashtu duhet të punojmë si grup për të vendosur një vizion për zgjerimin e bashkëpunimit."

Ai u bëri gjithashtu thirrje krerëve të biznesit të ofrojnë "këshilla konstruktive" për qeverinë amerikane dhe atë kineze me mençuri dhe profesionalizëm, duke i nxitur ato t'i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre "me kujdes dhe efikasitet."

(Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore