Irani njofton dënimin me 10 vjet burg për spiunazh të një amerikani

2017-07-17 10:16:07 CRI Komenti juaj Printoni

Një shtetas amerikan i akuzuar për infiltrim u dënua me 10 vjet burg në Iran, njoftuan të dielën autoritetet vendore.

Zëdhënësi i Drejtësisë, Gholamhossein Mohseni-Ejeie nuk dha informacione mbi identitetin e amerikanit as për datën e arrestimit e as mbi këtë mision infiltrimi.

"Amerikani u identifikua dhe arrestua nga shërbimet sekrete. Ai kishte ardhur për një mision infiltrimi dhe u dënua me 10 vjet burg", deklaroi Mohseni-Ejeie gjatë një konference për shtyp të transmetuar nga televizioni shtetëror.

Në tetor 2016 dy shtetas irano-amerikanë, sipërmarrësi Siamak Namazi dhe babai i tij Mohammad Bagher Namazi, u dënuan së bashku me dhjetë veta të tjerë me 10 vjet burg për spiunazh në favor të Uashingtonit.

ShBA-ja ka kërkuar disa herë lirimin e menjëhershëm të këtyre dy personave.

Që nga viti i kaluar, Irani ka arrestuar disa shtetas amerikanë, britanikë, kanadezë, austriakë dhe francezë, të cilët i akuzon për spiunazh ose bashkëpunimin me qeveritë armiqësore ndaj Iranit. (Zhang Yan/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore