Davosi Veror, nxitësi i zhvillimit të ndërmarrjeve në Dalian

2017-06-27 14:08:37 CRI Komenti juaj Printoni

Takimi i 11-të vjetor i udhëheqësve të rinj pranë Forumit Botëror Ekonomik, që quhet edhe "Davosi Veror", do të zhvillohet në qytetin Dalian të Kinës verilindore nga 27 deri më 29 qershor. Qysh nga viti 2007, kur u zhvillua edicioni i parë i Davosit Veror, qyteti Dalian është përpjekur ta shfrytëzojë këtë platformë ndërkombëtare për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar. Gjatë 10 vjetëve të kaluar, në sajë të shpirtit të "hapjes" dhe "largpamësisë", të sjellë nga Davosi, ndërmarrjet e Dalianit kanë realizuar përshkallëzimin e tyre.

ORIX është i vetmi grup ndërshtetëror i shërbimeve financiare, me seli në Dalian. Në vitin 2009, kur ekonomia botërore u mbulua nga hija e krizës monetare, pikërisht në takimin vjetor në Dalian të Davosit Veror, duke parë perspektivën e ekonomisë kineze si dhe statusin e portit Dalian e bazën kulturore e industriale të këtij qyteti, lideri i atëhershëm i grupit ORIX vendosi të investonte këtu.

Sipas zotit Lin Zhongzhi, drejtorit ekzekutiv të zonës pankineze të grupit ORIX, Davosi Veror është udhërrëfyes për kompanitë e huaja për analizimin e vlerësimin e zhvillimit ekonomik dhe të hapjes së Kinës.

ORIX nuk është e vetmja kompani që zgjodhi qytetin Dalian, nëpërmjet Davosit Veror. Më vonë, edhe shumë kompani të njohura ndërshtetërore si Intel, British Telecom, Cannon etj. kanë investuar në Dalian. Në Davosin Veror 2015, u realizuan në Dalian 13 objekte të mëdha, me shumën e përgjithshme të investimeve prej 8 miliardë e 140 milionë dollarësh amerikanë, përfshirë fushat financiare, të manifakturës së nivelit të lartë, të biznesit online, të përkujdesjes ndaj të moshuarve, të pasurive të paluajtshme etj.

Deri më sot, investitorët nga mbi 80 vende e rajone të botës kanë krijuar 18.6 mijë kompani në Dalian, me një vlerë të përgjithshme të investimeve prej 100 miliardë dollarësh amerikanë. Ndërkohë, nga Dalian janë krijuar mbi 700 ndërmarrje në afro 70 vende e rajone të tjera, me investime të përgjithshme prej 15 miliardë dollarësh amerikanë.

Grupi Bingshan, që u krijua në vitin 1930, është një kompani që prodhon kryesisht pajisje të sistemit të ftohjes. Me pjesëmarrjen 10 vjet me radhë në Davosin Veror, edhe kjo kompani e vjetër shpejtoi hapat. Tani ajo zhvillon paralelisht shërbimin e sistemit të ftohjes me atë të ngrohjes, duke ngritur efektivitetin e përdorimit të energjisë nga 40% në 70%.

Presidenti i grupit Bingshan, Ji Zhijian është i mendimit se Davosi Veror i shërben Kinës dhe krahinave verilindore të saj si një dritare drejt botës. Pjesëmarrja në takimin vjetor të Davosit i ka ofruar atij horizonte dhe informacione të pasura dhe në këtë bazë, janë krijuar shumë alternativa largpamëse, që grupi Bingshan ka këmbëngulur në rrugën e zhvillimit me novacion të pandërprerë, duke u bërë ndër më të përparuarit në këtë sektor. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore