Katari i izoluar kaloi Fiter Bajramin mes shqetësimeve

2017-06-26 15:33:59 CRI Komenti juaj Printoni

Të dielën pjesa e dërmuese e vendeve të Gjirit Persik, përfshirë dhe Katarin festuan Fitër Bajramin. Por banorët e Katarit janë të shqetësuar për fatin e vendit dhe për jetën e tyre, pavarësisht gëzimit gjatë festës.

Qysh nga 5 qershori, Katari është një "ishull i izoluar", pasi Arabia Saudite dhe vende të tjera ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me të dhe filluan bllokadën e gjithanshme tokësore, detare dhe ajrore. Kjo ka ndikuar shumë në shkëmbimet e njerëzve, turizmin dhe transportin në këtë vend.

Rony Auguyin është punonjëse e një hoteli me 4 yje. Ajo tha se bllokada ka goditur rëndë biznesin e hotelerisë.

"S'kemi shumë klientë, numri i tyre është shumë i ulët kohët e fundit. Në të njejtën periudhë të vitit të kaluar, biznesi ecte shumë mirë. Shumë klientë vinin nga vendet përreth, veçanërisht gjatë pushimeve të Ramazanit. Sivjet, vendet përreth i ndaluan shtetasit e tyre të vizitojnë Katarin. Kjo i shkakton humbje të mëdha hotelit. Nëse do të vijohet bllokada kam frikë se do të ulet shumë numri i klientëve."

Katari është një vend që mbështetet tek emigrantët. Në popullsinë 2.2 milionë banorë të këtij vendi, 80% janë të huaj. Gjithashtu këtu jetojnë e punojnë edhe shumë kinezë. Su Liping, nga provinca Zhejiang e Kinës lindore bën tregti këtu prej 17 vjetësh. Ajo tha se bllokada ndikon shumë në tregtinë e saj të materialeve të ndërtimit.

"Pjesa më e madhe e mallrave transportohen këtu nëpërmjet Dubait, por tani kjo është e bllokuar. Kështu s'kam mallra për të shitur. Nëse do të përdor një rrugë tjetër, kostoja do të jetë e lartë. Tani shes vetëm mallrat e depos. Kështu veprojnë pjesa më e madhe e tregtarëve në Katar. Nëse kjo krizë nuk do të zgjidhet pas 3 a 5 muajve, tregtia ime e materialeve të ndërtimit do të marrë fund ."

Për të pakësuar në minimum goditjet nga bllokada, qeveria e Katarit ka marrë masa të ndryshme. Pas ndërprerjes së plotë të lidhjes tokësore me vende të tjera, Katari ka importuar shumë perime, mish dhe produkte qumështi nga Irani e Turqia, nëpërmjet transportit ajror e detar. Pas një gjendje të shkurtër paniku, tani në supermarketet e Katarit po normalizohet furnizimi me ushqime.

Krahas humbjeve ekonomike, bllokada dëmton shoqërinë dhe familjet në Katar. Sipas të dhënave statistikore, në Katar mbi 6.5 mijë vetë janë martuar me shtetas nga Arabia Saudite dhe të vende të tjera. Pas ndërprjerjes së marrëdhënieve diplomatike, Arabia Saudite dha urdhër për dëbimin e shtetasve nga Katari. Megjithëse kjo politikë më vonë u anulua, përsëri shqetësimet e këtyre familjeve mebeten.

Të premten e kaluar, Arabia Saudite dhe vende të tjera përreth i paraqitën Katarit listën me 13 kërkesa për zgjidhjen e krizës. Katari nuk është përgjigjur ende.Shumë banorë të Katarit janë dyshues për të ardhmen. Studentja Dana Al Anzy shpreh shqetësimin e saj. "Mendoj se ka shpresë të zgjidhet kjo krizë, në fund të fundit jemi fqinj. Por nuk jam e sigurt për gjendjen në të ardhmen, sepse një ngjarje e tillë është e pakthyeshme. Edhe pse bëhen përpjekje nuk do të kthehemi kurrë në të kaluarën ."

Mrekulli
Lajmet Kryesore