Mbi 60 të vdekur nga zjarret masive në pyjet e Portugalisë

2017-06-19 10:10:21 CRI Komenti juaj Printoni

Portugalia po ndeshet me një nga gjendjet më të rënda ndër vite si pasojë e zjarreve masive që kanë prekur rajonin e Pedrogao Grandes. Qindra zjarrfikës vazhdojnë të luftojnë me flakët e zjarrit në shumë fronte, ndërkohë që qeveria ka shpallur tre ditë zie kombëtare për 62 viktimat.

Katër fëmijë janë identifikuar midis viktimave, shumë prej të cilave janë gjetur brenda në makina ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga rajoni i Pedrogao Grandes.

Kryeministri portugez Antonio Costa tha se bilanci i viktimave ka gjasa të rritet.

"Për fat të keq gjendja mbetet e rëndë dhe zjarri është ende aktiv. Kuptohet se era ka ndihmuar për rindezjen e flakëve në disa nga frontet e zjarrit dhe në të njëjtën kohë vijon një punë e vazhdueshme dhe e dhimbshme për identifikimin, nga fshati në fshat, të viktimave të mundshme. "

Kryeministri Costa shtoi se shërbimet emergjente të të gjitha niveleve janë dislokuar në vatrat e zjarrit për të luftuar me flakët dhe për të kërkuar viktimat.

"Janë mobilizuar të gjitha burimet që kemi në dispozicion, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, për të luftuar zjarret e vazhdueshme. Autoritetet gjyqësore, ekipet policore dhe policia shkencore po punojnë për identifikimin e viktimave. Ndërkohë në operacionet e shuarjes së zjarreve janë përfshirë forcat e armatosura që në përbërje të tyre kanë edhe batalione nga marina."

Qeveria portugeze ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në zonën e përfshirë nga zjarri, si dhe tre ditë zie kombëtare nga e diela deri të martën. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore