Ambasada kineze dhe Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Kinë zhvillojnë Takimin e Verës

2017-06-14 10:54:01 CRI Komenti juaj Printoni

Ambasada e Kinës në Shqipëri dhe Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Kinë organizuan të dielën në Tiranë Takimin e Verës, ku morën pjesë përfaqësues të Ambasadës kineze, kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë Spartak Nano, drejtori i Drejtorisë së Amerikave, Paqësorit, Azisë dhe Afrikës në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë Kujtim Xhani, drejtori i Institutit "Konfuci" në Universitetin e Tiranës Huang Qiang etj.

Ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu u shpreh në këtë veprimtari se, me përkrahjen e qarqeve të ndryshme, këtë vit marrëdhëniet kino-shqiptare kanë pasur zhvillime të reja. Në prill, zv.kryeministri kinez Zhang Gaoli bëri një vizitë në Shqipëri. Udhëheqësit e të dy vendeve arritën konsensus të ri për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke përcaktuar drejtimin e zhvillimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Në maj, një delegacion shqiptar mori pjesë në forumin e lartë për bashkëpunimin ndërkombëtar mbi nismën "Një brez, një rrugë" të zhvilluar në Kinë. Të dy palët nënshkruan gjatë forumit një numër dokumentesh bashkëpunimi në fushën e medias, të grupeve studimore, të arsimit, të rinisë etj.

Përfaqësuesja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu shtoi gjithashtu se Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Kinë ka nxitur miqësinë tradicionale midis dy vendeve. Duke vënë në dukje se miqësia kino-shqiptare i ka themelet te popujt e të dy vendeve, znj. Jiang shprehu shpresën se kjo shoqatë do të japë ndihmesë të mëtejshme për shtimin e shkëmbimeve miqësore midis dy popujve.

Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë Spartak Nano shprehu nga ana e tij kënaqësinë që vitet e fundit, marrëdhëniet shqiptaro-kineze kanë pasur zhvillim të madh. Ai shtoi se të gjithë anëtarët e Shoqatës ushqejnë ndjenja të thella për Kinën dhe dëshirojnë të japin kontributin e vet për zhvillimin e thellimin e miqësisë midis dy popujve. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore