Kinë-Panama, vendosen marrëdhënie diplomatike

2017-06-14 09:34:02 CRI Komenti juaj Printoni

Pekini dhe Panamaja vendosën të martën marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh, pasi vendi i Amerikës Qendrore ndërpreu marrëdhëniet me Tajvanin. Kina dhe Panamaja ranë dakord për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë dhe nismën kineze "Një brez, një rrugë".

Presidenti i Panamasë Juan Carlos Valera (Huan Karlos Valera) njoftoi të hënën, sipas orës lokale se vendi i tij vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës.

"Njoftoj sot popullin se kemi marrë vendimin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kinën. Deklaroj qëndrimin tim se Republika e Panamasë duhet të vendosë marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës. Sot, si president kushtetues i Panamasë, duke ndjekur këtë qëndrim, ratifikova vendimin, sepse kjo është rruga e drejtë për vendin", tha presidenti panamez.

Në fjalimin televiziv, presidenti Valera foli për historinë 160 vjeçare të marrëdhënieve midis dy vendeve. Për vendosjen e tyre ai vlerësoi rolin e komunitetit kino-panamez, i cili sipas tij ka qenë me rëndësi në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Panamasë.

Në të njejtën kohë në Pekin dy ministrat e jashtëm nënshkruan një komunikatë të përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua me homologun panamez dhe zëvendëspresidenten Isabel Saint Malo. Sipas komunikatës, Panamaja njeh "ekzistencën e një Kine" dhe Tajvanin si pjesë e territorit kinez. Gjithashtu në komunikatë theksohet se Panamaja nuk do të vendosë kurrë marrëdhënie zyrtare me Tajvanin dhe as nuk ka të tilla kontakte me të.

Dy qeveritë ranë dakord për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore, bazuar në parimin e respektit të ndërsjellë ndaj sovranitetit dhe tërësisë teritoriale, të mos kryejnë agresion ndaj njeri-tjetrit, të mos ndërhyjnë në punët e brendëshme reciproke, të respektojnë barazinë, përfitimin e ndërsjellë dhe bashkëekzistencën paqësore.

Në një deklaratë për mediat, ministri i jashtëm i Kinës Wang Yi tha se vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Panamasë hap një kapitull të ri midis dy vendeve. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore