Kinë, drejt përfundimit projekti i demonstrimit të ndërtimit të reaktorit bërthamor

2017-05-25 09:49:04 CRI Komenti juaj Printoni

Kina po punon për të përfunduar projektin e parë të demonstrimit të ndërtimit të reaktorëve të centraleve bërthamore, duke përdoruar një teknologji 3D të zhvilluar vetë.

Qendra e kontrollit e reaktorit nr. 5 bërthamor Hualong-1 do të instalohet sot dhe nesër (25 - 26 maj) në qytetin Fuqing.

Qendra do të përdoret për mbrojtje në rast aksidentesh bërthamore dhe kushte ekstreme.

Chen Guocai, zv./menaxher i centralit Fuqing, tha se instalimi i qendrës së kontrollit, përbën procesin më të madh dhe më të vështirë në industrinë e energjisë bërthamore në botë.

"Gjithë qendra në formën e një kubeje peshon 340 tonë, ndërsa po t'i shtojmë aksesorët e tjerë, tavanin dhe ganxhat e ngritjes, pesha e përgjithshme arrin në 510 tonë. Janë bërë të gjitha përgatitjet dhe jemi gati për instalimin. I vetmi faktor që mund të ndikojë gjatë kohës së instalimit është shpejtësia e erës, e cila duhet të jetë më pak se 9.8 metra për sekondë".

Faza e parë e reaktorit Hualong-1 është planifikuar të përfundojë brenda 62 muajve. Ky reaktor ka një kapacitet të instaluar prej mbi 1.1 milionë kilovat.

Yu Peigen, zv./menaxheri i përgjithshëm i Korporatës Kombëtare Bërthamore të Kinës (CNNC), tha se reaktori Hualong-1 mund të sjellë përfitime të mëdha ekonomike.

"Për sa u përket njësive të energjisë bërthamore që kemi eksportuar jashtë shtetit, vlera e njësive arrin deri në 30 miliardë juanë, ose 4.3 miliardë dollarë amerikanë. Nëse konsiderohet kontributi i zinxhirit të plotë industrial, si përdorimi dhe mirëmbajtja e karburantit bërthamor, çdo njësi mund të sjellë direkt 100 miliardë juanë fitim gjatë gjithë periudhës së shërbimit."

Deri në 85 për qind të pajisjeve të reaktorit Hualong-1 janë prodhuar në vend, duke përfshirë pajisjet kryesore, siç janë enët e presionit dhe gjeneratori i avullit.

Kina ka promovuar në mënyrë aktive modelin e reaktorit Hualong-1 brenda dhe jashtë vendit.

Modeli e këtij reaktori po zbatohet tani në katër projekte, dy prej të cilëve në Karaçi të Pakistanit. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore