BE-ja u kërkon vendeve të Ballkanit të punojnë bashkë për integrimin

2017-05-25 09:47:51 CRI Komenti juaj Printoni
Bashkimi Europian u bëri thirrje të mërkurën gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që të tejkalojnë dallimet dhe të punojnë së bashku për integrimin europian.

Qëndrimi u përcoll nga shefja e politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Federica Mogherini, gjatë një samiti jozyrtar në Bruksel me kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Bosnjën e Hercegovinën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Mogherini diskutoi veç e veç me udhëheqësit situatën në rajon dhe më pas organizoi një darkë të përbashkët joformale.

Në një njoftim pas takimeve thuhet se "të gjithë të pranishmit konfirmuan përkushtimin e tyre për të punuar për integrimin europiane. Ata ritheksuan vendosmërinë e tyre dhe shfaqën interes të fortë për forcimin e bashkëpunimit dhe arritjen e rezultateve të prekshme për jetën e qytetarëve të rajonit. Udhëheqësit theksuan gjithashtu angazhimin e tyre për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për thellimin e mirëkuptimit rajonal, nëpërmjet respektit dhe bashkëpunimit reciprok," thekson në një njoftim të zyrës së Mogherini-it.

Më vonë këtë vit, në muajin korrik, do të zhvillohet në Trieste të Italisë Samiti i Ballkanit Perëndimor dhe BE-së dhe ky takim joformal i shërbeu ndër të tjera përgatitjeve për takimin e ardhshëm.

Së fundi, Bashkimi Europian është shprehur i shqetësuar për krizat politike në disa vende të Ballkanit dhe rritjes së retorikës nacionaliste. Zonja Mogherini i ka cilësuar këto tensione në Ballkan si "tejet të rrezikshme" gjë që sipas saj shton nevojën që brukseli të veprojë me përkushtim për të siguruar të ardhmen europiane të rajonit.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, nuk dha shumë hollësi pas takimit me Mogherini-in, por nënvizoi se fokus i takimit ishte përgatitja e Samitit të Triestes.

"Kjo ishte një darkë joformale për të diskutuar mbi takimin e ardhshëm në Tireste mbi perspektivat e vendeve të Ballkanit Perëndimor duke diskutuar hapur edhe çështjet që kanë interes reciprok dhe duhet të shihen si të tilla. Unë i kam thënë shefes së diplomacisë evropiane se pas 25 qershorit duhet të jetë e përgatitur ajo dhe KE që qeveria dhe opozita e dalë nga zgjedhjet do kërkojë me një zë hapjen e negociatave me BE-në në kuptimin e një zëri të unifikuar dhe pastaj nuk i kemi të gjitha në dorë, se Europa në këto momente është ajo që është dhe nuk është më e mira që do donim të ishte," tha kryeministri. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore